Simone Inzaghi kërkon fitoren në Superkupën e Italisë kundër Milanit. Trajneri i Interit kujton se në derbin e fundit, skuadra e tij nuk e meritoi humbjen dhe në Riad është momenti për të marrë shpagimin ndaj kuqezinjve.
Ai ka ende dyshime për formacionin, ndërsa prania e Lukakut nuk është e sigurt. Inzaghi ende nuk ka vendosur mes Darmian dhe Dumfries. Ai analizon përballjen ndaj “Djallit”.
‘Ne e dimë rëndësinë e këtij takimi. Është një derbi dhe është një finale, ka ndodhur vetëm dy herë në histori. Ne duam të luajmë një ndeshje të madhe. Ardhja këtu është vazhdim i sezonit të kaluar. Duam që ta mbrojmë trofeun. Ne duam të fitojmë! E dominuam vitin e kaluar Kupën e Italisë. Ndërsa derbin e fundit në kampionat e humbën në mënyrë të pamerituar’, u Simone Inzaghi.
Inzagi mendon se Milani po bën një paraqitje të mirë këtë sezon dhe di të ndërtojë lojë, e të rrezikojë me kundërsulme. Superkupa italiane është mundësia e artë e Stefano Piolit për të fituar një tjetër trofe pas Scudetto-s së vitit të kaluar.
Por kjo do t’u shërbejë kuqezinjve për të lënë pas ditët e vështira pas barazimeve ndaj Romës dhe Leçes dhe eliminimin nga Kupa e Italisë. Por tekniku kuqezi e di se zhgënjimet duhet të lihen pas dhe duhet të tentojë të ngrejë një trofe të rëndësishëm.
‘Fitorja ka shumë rëndësi! E filluam vitin e kaluar, tani duhet t’i japim vazhdimësi këtij rrugëtimi.
Të ngremë nivelin dhe mentalitetin tonë fitues! Java e fundit nuk ka qenë më e mira, por sfida ndaj Interit është tjetër gjë. Derbi është histori më vete dhe trofeu ia rrit vlerën kësaj ndeshjeje.
Nuk ka rëndësi paraqitja në kampionat në këtë takim. Ndaj Interit do të luajmë me entuziazëm dhe energji! Jemi këtu me meritë dhe do luajmë shanset tona’, u shpreh trajneri i Milanit Stefano Pioli.
Në fund Pioli shtoi se e di pikën e dobët të Interit, por preferoi të mos ta tregonte atë për mediat. Në përballjet mes tyre, tekniku zikaltër ka arritur të fitojë 7 herë, ai i Milanit pesë dhe 4 sfida kanë përfunduar në barazim.