24 vjet pas masakrës së Reçakut, presidenti Bajram Begaj ka dekoruar William Walker me medaljen “Kalorësi i Urdhrit të flamurit”. Ai e ka vlerësuar si një ndër personalitete që i tregoi botës krimin e tmerrshëm të Serbisë më 15 janar 1999.
Në fjalën e tij Begaj tha se Walker është njeriu që ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës, rajonit dhe vetë NATO-s në vitin 1999 kur mbante rolin e shefit të Misionit Monitorues të OSBE-së në Kosovë.
“Të jemi mirënjohës për përkushtimin tuaj në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe për mbështetjen e vazhdueshme të të drejtave të shqiptarëve, si dhe për bashkëpunimin e ngushtë me komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin më të madh të shqiptarëve. Ju do të botoni një libër për Reçakun. Jam i sigurt se ky libër do të jetë një kontribut i rëndësishëm dhe i shtuar për arsyet dhe parimet që bota demokratike, SHBA dhe NATO vendosën të ndërhyjnë dhe i dhanë fund gjenocidit serb në Kosovë. Për të gjitha këto arsye, por jo vetëm, Ambasadorit William Walker kam nderin t’i jap në emër të shtetit shqiptar dhe në emër të të gjithë shqiptarëve një nga medaljet më të larta të Republikës së Shqipërisë, atë të “Kalorësit të Urdhrit të Flamurit”, tha Begaj.
Walker u bë dëshmitar i një prej masakrave më të rënda të kryera në Reçak, ku 45 qytetarë të pafajshëm u masakruan mizorisht nga trupat ushtarake e paraushtarake të regjimit të Millosheviçit.
Ambasadori Walker, i pari, ekspozoi në mbarë botën këtë akt mizor dhe e cilësoi masakrën para mediave si “një krim kundër njerëzimit”.
“Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time.” , tha aso kohe ai.
Të pranishëm në ceremoninë e dekorimit ishin disa prej deputetëve socialistë, por edhe disa deputetë të opozitës, mes tyre Lulzim Basha e Ervin Salianji.