‘El Classico’ në shkretëtirën e Riadit. Barcelona dhe Real Madrid kanë siguruar biletën për në finalen e Superkupës së Spanjës për ta shndërruar duelin e së dielës në një festë të madhe sportive. Barcelona u vu në një provë të vërtetë zjarri kundër Real Betis, ku u nevojitën penalltitë për të vijuar rrugëtimin drejt finales. Robert Lewandowski kaloi në epërsi Barcelonën 5 minuta para fundit të pjesës së parë, duke e dërguar skuadrën në avantazhin minimal 1-0 drejt dhomave të zhveshjeve. Në fraksionin e dytë, Fekir vendosi baraspeshën, diçka që mbeti në fuqi në 90 minutshin e kohës së rregullt. Edhe në shtesa, dy ekipet shënuan nga një gol, për të mos vulosur fitues as në 30 minutat e shtesave.
Skuadrat iu drejtuan pikës së penalltisë, aty ku Betis gaboi me dy futbollistët e saj, Hunami e Carvaljo në penalltitë decizive. Në krahun tjetër, Lewandowski, Kessi, Fati dhe Pedri u treguan të saktë për t’i dhënë kështu Barcelonës të drejtën për të shkuar në finalen e madhe. Barcelona kërkon të rikthehet tek suksesi në Superkupë pas 2 viteve, teksa kjo do të jetë paraqitja e parë e katalanasve në një finale nën drejtimin e trajnerit, Çavi Hernandes. Barcelona dhe Real Madrid janë përplasur tashmë një herë në La Liga këtë sezon, ku ky i fundit doli fitues me rezultatin 3-1. Por forma e kampionëve të La Ligës nuk është e mirë në javët e fundit, me blaugranët që do synojnë triumfin.