Dëmtimi i Keidi Bare ka vënë në lëvizje Espanyol. Klubi spanjoll ka nisur punën për të kërkuar zëvendësuesin e mesfushorit shqiptar, i cili tashmë gjendet në infermieri në pritje të një ndërhyrje kirurgjikale. Këputja e ligamenteve në kaviljen e këmbës së djathtë pritet ta mbajë fierakun për të paktën 3 muaj jashtë fushave, duke sjellë alarm te klubi katalanas. Për këtë arsyeje është hapur një skenar i ri për sa i përket merkatos së janarit, pasi afrimi i një mesfushori nuk ishte në planet e tyre. Sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle, Espanyol e ka identifikuar lojtarin që ngjanë shumë me Baren, teksa në ditët e ardhshme pritet ofensiva drejt tij.
Pablo Rosario i Nice është vënë në krye të dëshirave të spanjollëve, i konsideruar edhe si ai ideali për të zëvendësuar momentalisht Baren dhe për të dueluar me shqiptarin më pas për një vend titullari. 25-vjeçari do ishte një vlerë e shtuar për skuadrën Katalanase, edhe pse ende nuk mund të thuhet se operacioni i transferimit është afër kryerjes. Kartoni i tij sipas “Transfermarkt” vlerësohet me 7 milionë euro, teksa pengesë për Espanyol konsiderohet kontrata me klubin francez, e parashikuar për të skaduar në qershor të vitit 2026. Që prej mbërritjes së tij në Francë në vitin 2021, ai ka luajtur 36 sfida me Nice duke qenë një prej lojtarëve më të aktivizuar në radhët e skuadrës së Ligue 1./ Klan News