FIFA ka nisur hetimet në lidhje me rrethanat që çuan kuzhinierin e famshëm ‘Salt Bae’ në festimet e Argjentinës për fitimin e Kupës së Botës më 18 dhjetor.
Pronari i restorantit të famshëm, emri i vërtetë i të cilit është Nusret Gokce, u pa në fushë pas finales duke u përpjekur të bënte fotografi me futbollistët bardhekaltër, përfshirë Lionel Messin dhe duke mbajtur Kupën e Botës.
Institucioni kryesor i futbollit botëror sqaroi se kuzhinieri ishte i paautorizuar që të qëndronte aty dhe se të drejtën për ta prekur trofeun e kanë futbollistët fitues dhe zyrtarët e shteteve gjatë ceremonisë mbyllëse. “Salt Bae” nuk ka asnjë lidhje me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino i cili më parë ka vizituar një nga restorantet e tij.
Gjithashtu nuk ka marrëveshje marketingu mes FIFA-s dhe kuzhinierit të famshëm.
Por ‘Salt Bae’ është një nga 303 personat që Infantino ndjek në Instagramin e tij. Shefi turk u bë i famshëm në rrjetet sociale për mënyrën se si kriposte dhe gatuante biftekun. Por në rrjetet sociale ka pasur pakënaqësi për praninë e tij në ceremoninë e dhënies së trofeut.
Mesi u filmua i bezdisur në përpjekje për t’u larguar nga kuzhinieri, ndërsa Lisandro Martinez ishte i pakënaqur që u fotografua përkrah tij duke mbajtur trofeun e Kupës së Botës. Një video përmbledhëse në Twitter e lojtarëve së bashku me Gokce ka mbledhur më shumë se 14 milionë shikime që kur u postua të hënën pasdite.
Pas këtij skandali, presidenti I FIFA-s nuk e ka më mik në rrjetin social ‘Salt Bae’./ Klan News