Pasi sondazhi për të larguar Elon Musk nga posti i kreut të Twitter tregoi se përdoruesit nuk e pëlqejnë më atë, miliarderi ka dalë në një tjetër deklaratë të fuqishme. Ai është shprehur se do të ikë nga drejtimi i Twitter nëse gjen dikë më budalla se vetja e tij për të drejtuar platformën.
Miliarderi premtoi më herët se do t’i përmbahej rezultatit të një sondazhi në Twitter, ku 57.5% e përdoruesve votuan “pro” për largimin e tij nga roli.
Që kur Musk bleu faqen e mediave sociale në tetor, ai ka shkarkuar rreth gjysmën e stafit të saj dhe ka tentuar të përdorë veçorinë e verifikimit me pagesë të Twitter përpara se ta vendosë atë në pauzë.
Grupet e të drejtave të njeriut si dhe OKB dhe BE e kanë kritikuar gjithashtu qasjen e tij ndaj moderimit të përmbajtjes, duke e akuzuar atë për marrjen e hapave që do të rrisin gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin. Kjo është hera e parë që multimiliarderi i është përgjigjur sondazhit të nisur për të.
Gjetja e një personi duket të jetë e vështirë pasi Elon Musk njihet si një njeri i paparashikueshëm. Emri më i spekuluar për të marrë drejtimin e Twitter është bashkëthemeluesi i Twitter Jack Dorsey. Ai dha dorëheqjen si shef ekzekutiv në nëntor 2021.