Për herë të gjashtë në histori, Argjentina preku finalen e Kupës së Botës. Kombëtarja amerikano-latine e bën këtë për herë të dytë në tre edicionet e fundit, por pa arritur që të ngjitet në majën e botës. Objektiv që Lionel Messi me shokë do kërkojnë që ta kurorëzojnë me 18 dhjetor. Një ecuri që ka gëzuar kapitenin, që në konferencën për shtyp vlerësoi inteligjencën e skuadrës, duke treguar më shumë guxim se sa talent në turneun e Katarit.
‘Ne jemi një skuadër shumë inteligjente, dimë kur të presim dhe kur të sulmojmë. Kam qënë shumë i lumtur gjatë gjithë Kupës së Botës. Me të vërtetë po e shijoj shumë dhe fatmirësisht jam në gjendje të ndihmoj skuadrën të bëj gjëra të mëdha. Humbja ndaj Arabisë na goditi rëndë, sepse erdhi pas 36 ndeshjeve pa humbje dhe kundër një ekipi që askush nuk pret që ne të humbasim’, u shpreh Messi.
I emocionuar për këtë arritje në finalen e Kupës së Botës u shfaq trajneri argjentinas, Lionel Scaloni.
‘Po përjetoj ëndrrën e çdo argjentinasi. Kur humbëm me Arabinë Saudite, ndjemë mbështetjen e popullit tonë dhe kjo është e pakrahasueshme’, tha trajneri Lionel Scaloni.
Zhgënjim në kampin tjetër, me Kroacinë që dështoi për të kaluar në finalen e madhe për herë të dytë radhazi.
‘Përgëzoj skuadrën argjentinase për fitoren në këtë gjysmëfinale. Falenderoj lojtarët e mi për gjithçka që dhanë në fushë. Tani duhet të mendojmë për sfidën e radhës’, u shpreh trajneri i Kroacisë.
Kroacia nuk është eliminuar nga Kupa e Botës, pasi të shtunën do tentojë për të siguruar shkallën më të ulët të podiumit, me finalen e vogël për vendin e tretë në turneun e Katarit./ Klan News