Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet i tha Zërit të Amerikës se zgjedhjet për pushtetin vendor në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe duhet të shtyhen dhe se për këtë çështje do të diskutojë me udhëheqësit e Kosovës gjatë vizitës së tij në Prishtinë javën që vjen.
Chollet tha se po zhvillohen bisedime të vazhdueshme me udhëheqësit në Prishtinë dhe ambasadori amerikan Jeff Hovenier është shumë i përfshirë.
“Unë do të jem në Kosovë javën e ardhshme dhe kjo do të jetë ndër temat kryesore në bisedimet me presidenten dhe kryeministrin derisa presim të punojmë për një rrugë të përbashkët përpara”, tha zoti Chollet.
Zgjedhjet në veriun e Kosovës, që u shpallën pas largimit të serbëve nga institucionet e vendit mes mospajtimeve rreth përdorimit të targave të makinave janë vënë në pikëpyetje pas incidenteve të ditëve të fundit në veri. Subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës, Lista Serbe do t’i bojkotojë ato.