Mediat italiane janë fokusuar ditën e sotme tek kërcënimi që ka marrë kryeministrja Giorgia Meloni dhe vajza e saj. Ato janë kërcënuar në rrjetet sociale dhe policia ka arritur menjëherë që të identifikojë autorit e kërcënimeve.
Sipas mediave italiane, autori i dyshuar është një 27-vjeçar i papunë me banim në provincën e Sirakuzës. Oficerët kryen një kontroll në shtëpinë e tij, i cili tashmë është vendosur nën hetim për kërcënim online.
Në momentin e kontrollit në shtëpinë e tij, policia ka kontrolluar edhe kompjuterin e tij dhe u konfirmua se kërcënimet kishin ardhur pikërisht nga adresa që ai kishte të hapur.
“Nëse heq të ardhurat, do të vras ty dhe vajzën tënde. Duhet vdekja jote dhe e vajzës tënde. Vërtetë kujdes, ndalo me këtë gjë të heqjes së të ardhurave bazë, përndryshe do të të vras, a e kupton?”.
Këto janë vetëm disa nga mesazhet e marra nga kreu i qeverisë e cila kishte denoncuar ngjarjen në orët e fundit dhe janë publikuar disa orë më vonë edhe nga llogaria në Twitter e Fratelli d’Italia.
Qeveria e krahut të djathtë të Italisë do të kufizojë disa përfitime sociale vitin e ardhshëm, përpara se t’i shfuqizojë ato plotësisht në vitin 2024. Meloni, e cila është në pushtet që nga tetori, beson se qytetarët e aftë për punë nuk mund të jetojnë pafundësisht me ndihmën e shtetit.
Nëse propozimi kalon në buxhetin e vitit 2023, do të hiqen përfitimet e tyre, nga e cila parashikohet që të përjashtohen familjet me fëmijë, personat mbi 60-vjeç dhe personat me aftësi të kufizuara.