Momente aspak të mira për sulmuesin e kombëtares angleze, Raheem Sterling. 27-vjeçari braktisi grumbullimin e ekipit për të qenë sa më pranë familjes së tij, pasi ata kishin qenë ‘në qendër të vëmendjes së hajdutëve’. Sipas asaj që raportojnë mediat britanike, një grup personash të armatosur kanë bastisur shtëpinë e tij në Angli, duke e detyruar futbollistin që të marrë direkt avionin drejt Londrës për t’i qëndruar pranë familjes. Sterling është baba i tre fëmijëve të vegjël.
Dramat e fëmijërisë së futbollistit me origjinë xhamajkane, pasi në moshën 2-vjeçare i vranë babanë, duket se ka qenë edhe shtysa më e madhe që e ka detyruar të largohet nga kombëtarja.
Ish-lojtari i Liverpool dhe Manchester City nuk ishte në dispozicion të trajnerit Southgate as në duelin e 1/8-ave kundër Senegalit dhe vështirë se mund të rikthehet sërish në Katar, për t’iu bashkuar skuadrës. Gjithsesi, kjo varet gjithmonë se si do shkojë rrugëtimi i tyre në Kupën e Botës, pasi në rast se Anglia do të shkojë në gjysmëfinale apo më mirë akoma në finale, Southgate mund të rikthente në ekip Sterling, mjaft i domosdoshëm për skemat e tij.
Futbollisti i Chelsea shënoi një gol dhe asistoi në fitoren 6-2 që Anglia siguroi ndaj Iranit në fazën e grupeve, çka tregon edhe rëndësinë e këtij lojtari për kombëtaren angleze./ Klan News