Brazili do të bëjë një lojë sulmuese ndaj Serbisë në sfidën e parë të botërorit pavarësisht së cilët futbollistë do të luajnë si titullarë.
Sulmuesi i verdhejeshilëve Raphinha e garanton këtë, ndërsa dyshimi i tij i vetëm është Vinicius Jr.
Trajneri Tite nuk ka dhënë asnjë detaj për 11-shen që do të hedhë në fushë, ndërsa ylli i Real Madridit, ende nuk e ka të garantuar një vend.
‘Me Vinicius ose Martinelin ne kemi një ekip më vertikal dhe të shpejtë, arrijmë që të fitojmë më shumë shpejtësi në ndeshje sepse ata janë futbollistë të shpejtë. Dhe kur Paqueta luan, ne kemi tendencën që të luajmë më shumë me topin. Mendoj se kjo e ndryshon lojën tonë, sepse secili ka karkteristika të ndryshme nga tjetri, kështu që përfundon duke ndryshuar. Ti humb një gjë në ndeshje, por kërkon diçka tjetër’, u shpreh Raphinha.
Seanca e fundit stërvitore e Brazilit ishte e hapur për mediat. Por trajneri Tite u kujdes që të mos dalë asnjë detaj nga formacioni titullar.
Por edhe sulmuesi Richarlison dëshiron një kombëtare sulmuese ndaj Serbisë. Amerikano-latinët përballen të enjten në mbrëmje ndaj Serbisë.
“Për mua, do të luaja me sa më shumë futbollistë në ofensivë që të jetë e mundur. Por trajneri vendos, pra, le ta zgjidhë vetë’, tha Richarlison.
Por futbollisti i Tottenham, i doli në mbrojtje edhe yllit të ekipit Neymar, i cili u kritikua sepse postoi në rrjetet sociale një foto me pantallona të shkurtra, ku në stemë ishte ylli i gjashtë, që nënkupton titullin e gjashtë botëror për verdhejeshilët. Richarlison e shpjegoi shkurt, te Brazili janë ëndërrimtarë./ Klan News