Familja Ricketts, që zotëron klubin e bejsbollit të Chicago Cubs, ka shprehur interes për të blerë Liverpulin. “Të kuqtë” janë në pronësi të Fenway Sports Group, ndërkohë sipas “Daily Mail” për anglezët ka interesim kryesisht nga investitorët amerikanë.
Me shitjen e klubit po merren bankat e investimeve me bazë në SHBA, Goldman Sachs dhe Morgan Stanley. Familja Rikets vlerësohet sipas revistës Forbes me 3.75 miliardë dollarë. Por një emër tjetër që mund të marrë pronësinë e Liverpulit, është edhe miliarderi Sir Jim Ratcliffe. 70-vjeçari ka një pasuri me vlerë rreth 15 miliardë paund.
Blerës të tjerë të mundshëm janë edhe miliarderët amerikanë dhe aksionerët e Crystal Palace, David Blitzer dhe Josh Harris. Vlerë e klubit anglez mund të shkojë deri në 5 miliardë dollarë.
Fenway Sports Group e bleu Liverpulin në tetor të 2010 për 300 milionë paund. Synimi i pronarëve është të shesin një pjesë të aksioneve, por nuk përjashtohet shitja totale e klubit.
Por “të kuqtë” nuk janë klubi I vetëm anglez që duan të përfitojnë financiarisht nga firmat amerikane. Edhe te Sauthmeptoni janë të gatshëm që të shesin aksionet, ndërsa sipas gazetës britanike “Daily Mail”, janë edhe dy klube të tjera në Premier Ligë, që po kërkojnë investitorë të rinj./ Klan News