Amerikanët pritet të votojnë ditën e sotme në zgjedhjet të cilat mbahen në mes të mandatit. Këto zgjedhje do të përcaktojnë fituesit për Kongresin si dhe vazhdimësinë e gjysmës së dytë të mandatit katërvjeçar të presidentit Joe Biden.
E gjithë Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së, rreth një e treta e Senatit dhe qeveritë kryesore të shteteve janë në pritje. Sot do të votohet për të gjitha vendet në Dhomën e Përfaqësuesve, 435, si dhe për 35 nga 100 vendet në Senat.
42 milionë persona kanë votuar nëpërmjet votimit të hershëm dhe me postë. Disa analistë kanë bërë të ditur se numri i përgjithshëm i votuesve do t’ia kalojë totalit prej 115 milionësh që pati në zgjedhjet e mes-mandatit të vitit 2018. Demokratët kanë aktualisht një shumicë të ngushtë në të dyja dhomat e Kongresit, por sondazhet parazgjedhore tregojnë se republikanët ka gjasa të marrin shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe ndoshta edhe në Senat, një rezultat ky që në të kaluarën ka sjellë ngërç politik.