Miqësorja e kombëtares shqiptare ndaj Katarit ka shkaktuar ndryshime në planet e Superligës. Përballja e 9 nëntorit në Marbella të Spanjës me kombëtaren pritëse të Botërorit të Katarit ka sjellë një modifikim të kalendarit. Java e 12-të e kampionatit, e parashikuar për t’u zhvilluar në datat 6 dhe 7 nëntor, do të spostohet me një javë për t’u luajtur fundjavën e ardhshme me 12 dhe 13 nëntor.
Ky spostim i propozuar nga Departamenti i Garave në FSHF, dhe i miratuar nga Komiteti Ekzekutiv me një vendim qarkullues, u mor për t’i dhënë mundësi klubeve që të vendosin lojtarët në dispozicion të ekipit Kombëtar dhe për të mos cënuar barazinë e garës.
Ashtu siç edhe në duelin e shkuar miqësor me Arabinë Saudite, tekniku Edi Reja do të kërkojë që të ketë në dispozicion futbollistë që aktivizohen në kampionatin shqiptar. Java e 12 do të mbyll edhe vitin kalendarik për Superligën shqiptare, pasi më pas do të nisin pushimet e propozuara nga FIFA për shkak të mbajtjes së Kupës së Botës. Si pasojë, java e 13 e Superligës do të spostohet për tu luajtur në muajin janar të vitit të ardhshëm. /Klan News