Kampioni i dyfishtë i botës, Max Verstappen fitoi Çmimin e Madh të Meksikës për të vendosur edhe një rekord në Formula 1 për numrin e fitoreve në një sezon të vetëm. Piloti holandez preku i pari finishin, duke koleksionuar edhe fitoren e 14-të sezonale.
“Ishte sërish një garë e mrekullueshme. Ka qenë një vit i jashtëzakonshëm deri më tani, sigurisht që po e shijojmë dhe do të përpiqemi të shkojmë sa më larg’’, tha Max Verstappen
Fitorja e Verstappen ishte e katërta e tij në Meksikë, teksa podiumi ishte i njëjtë me atë të vitit të kaluar, me Hamilton dhe Sergio Perez që kompletuan tre vendet e para në këtë Çmim të Madh. 25-vjeçari fitoi garën e nëntë radhazi dhe të 16-të nga 20 gara me skuadrën e Red Bull, duke i siguruar titullin e konstruktorëve tre gara para fundit.
Verstappen theu rekordin prej 13 fitoresh për numrin e triumfeve sezonale, që mbahej nga legjenda gjermane, Michael Schumacher, të vendosur në vitin 2004 dhe Sebastian Vettel në 2013. Megjithatë, holandezi kishte një favor të madh në krahun e tij, pasi numri i garave është më i lartë se në sezonet e shkuara, plot 22, krahasuar me 19 të vitit 2013 dhe 18 në 2004. Çmimi i Madh i Meksikës ishte fantastik edhe në aspektin e spektatorëve. Në tre ditë morën pjesë rreth 395 mijë tifozëve, duke tejkaluar me mbi 24 mijë numrin e tyre vitin e kaluar./ Klan News