Mirela Kumbaro, ministre e Turizmit dhe Mjedisit në Qeverinë e Shqipërisë, nga Beogradi ka deklaruar se numri i turistëve serbë që e kanë vizituar Shqipërinë në vitin 2021, është rritur për 110 për qind krahasuar me vitin 2019.
Teksa ka shpalosur potencialet turistike të Shqipërisë gjatë një interviste me shërbimin e Radios Evropa e Lirë në Serbi, Kumbaro ka theksuar se vizitorët serbë në Shqipëri janë hap i rëndësishëm i emancipimit, i cili, sipas saj, nënkupton mendje të hapura. Kumbaro thekson se kjo është filozofia e re që korrespondon me “Ballkanin e Hapur” dhe se gjithë kjo është rezultat i kësaj nisme.
E pyetur nëse pengesat për zhvillimin e turizmit ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë mund të jenë mospajtimet politike rreth Kosovës, Kumbaro tha se nuk ka mospajtime të tilla duke shtuar se “ky është perceptim që vjen nga historia jonë” dhe i cili duhet ndryshuar.
Radio Evropa e Lirë: Si do ta shpjegonit numrin në rritje të turistëve serbë në Shqipëri? Ju thatë në konferencë se ky numër është për 20 për qind më i lartë se vitin e kaluar dhe më shumë se 100 për qind nga viti 2019.
Mirela Kumbaro: Më 2021, krahasuar me vitin 2019 ne kemi pasur shtim për 110 për qind të turistëve nga Serbia. Normalisht që fillimisht mendoj që COVID-19 i ka ndryshuar të gjitha itineraret. Në anën tjetër, mos harroni se kemi nisur frymën e “Ballkanit të Hapur”, nëse mund të them kështu, por gjithashtu edhe nismat vitin e kaluar. Vizitat e shpeshta të personaliteteve nga të tri shtetet kanë krijuar këtë atmosferë të re. Dhe, në sektorë të ndryshëm ne po shohim rezultate të ndryshme. Në turizëm e kemi këtë numër dhe ky trend është duke vazhduar më 2022-ën, sepse në katër muajt e parë të vitit kemi 20 për qind më shumë (turistë) se sa vitin e kaluar. Ne kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm, ministrat anë shkëmbyer vizita, por gjithashtu dy agjencitë kombëtare të turizmit kanë qenë në kontakt dhe jemi të përkushtuar për promovimin e shteteve tona në dy anët. Në këtë moment, blogerët nga Serbia janë duke e vizituar Shqipërinë. Ata çdo ditë po postojnë fotografi, shërbime, hotele nga Shqipëria në faqet e rrjeteve të tyre sociale, gjë që sjell më shumë ndjekës dhe mendoj se mund të shohim një numër të turistëve serbë që kanë qenë në Shqipëri, kur janë kthyer në Serbi, kanë qenë paksa si ambasadorë, ndoshta edhe duke mos e ditur. Dhe, kjo është ajo që prodhon turizëm, sepse të gjithë e dinë se 70 për qind e turistëve në gjithë botën marrin informata përmes rrjeteve sociale më shumë se përmes kanaleve zyrtare. Në anën tjetër, përkushtimi ynë për Memorandumin e Mirëkuptimit që së fundi e kemi nënshkruar ndërmjet tri shteteve – Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut – është një përkushtim për të forcuar këtë trend, t’i bashkojmë forcat tona. Mendoj se ajo çfarë duhet bërë nuk është krijimi i një tregu të ri, por ta mbështesim atë ekzistues, sepse sektori privat është më i avancuar se ai politik. Prandaj, kjo është detyra jonë dhe duhet të jemi të mençur dhe t’i përcjellim me këtë trend të ri. Edhe pse ka bisedime politike me Shqipërinë, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Kosovën, ne të gjitha jemi shtete të vogla, kështu që nuk mund të pretendojmë të krijojmë treg të ndarë të turizmit. Në këtë drejtim, ne duhet t’i hapim kufijtë tanë dhe të rrisim mundësinë për qarkullimin e turistëve, sikurse zogjtë që qarkullojnë, fluturojnë nga një shtet në një tjetër. Ne po e ndihmojmë ekonominë, po u japim më shumë kënaqshmëri turistëve, po tërheqim turistë nga kombet e largëta si Azia, Australia, Shtetet e Bashkuara, por mbi të gjitha jemi duke krijuar një mendësi të re të emancipimit. Ky është rezultati më i madh dhe më i rëndësishëm për rajonin tonë. Dhe, mendoj se turizmi nuk mund të kontribuojë vetëm në ekonomi, por gjithashtu për një njohje më të mirë për njëri-tjetrin. Ne kemi nevojë për këtë emancipim dhe turizmi është një mjet tjetër në tavolinë.
Radio Evropa e Lirë: Cilat mendon se janë pengesat më të mëdha për turistët serbë në Shqipëri? Mos janë ndoshta arsye politike, të themi, mospajtimet politike rreth Kosovës?
Mirela Kumbaro: Jo, ne nuk kemi mospajtime politike në vija të trasha. Edhe kur kemi mospajtime, ne pajtohemi të mos pajtohemi – që do të thotë është prapë një pajtim. Të themi është një perceptim dhe perceptimi nuk është krijuar nga Marrëveshja e Mirëkuptimin dhe as nuk ndryshohet nga ajo. Perceptimi është diçka që vjen nga historia jonë, prandaj ne duhet të ndryshojmë perceptimin në çdo vegël, çdo instrument, çdo vullnet të mirë në arsim, turizëm, ekonomi. Dhe, ndonjëherë kjo është sfida më e madhe që kemi. Është shumë e lehtë që me vendime politike të ndryshohen edhe kufijtë, por është shumë më e vështirë të ndryshojmë dhjetë centimetrat brenda kokave tona. Kjo është pse po e theksoj efektin e emancipimit nga turizmi. Pra, çdo turist që vjen nga Serbia në Shqipëri është një tjetër hap para në procesin e emancipimit, çdo takim është një tjetër hap në procesin e emancipimit. Emancipimi nënkupton mendje të hapura. Ky është “Ballkani i Hapur”, korrespondon me këtë filozofi të re që ne duam ta prezantojmë në shtetet tjera. Nuk është e mjaftueshme ta kemi vetëm në kokat e liderëve tanë, kryeministrit Edi Rama apo presidentit (Aleksandar) Vuçiq, ose liderëve të tjerë të rajonit tonë, është e rëndësishme të prezantohet në mendësinë, mendjen e kokat e njerëzve. Kjo kërkon kohë, por ne jemi këtu ta marrim këtë sfidë si një detyrë, si një obligim kundrejt fëmijëve tanë.
Radio Evropa e Lirë: Cili është ky perceptim që në fakt jemi duke e luftuar, serbët dhe shqiptarët?
Mirela Kumbaro: Është interesante që kjo pyetje më shumë t’u bëhet serbëve sepse unë mund t’ju konfirmoj që nuk kemi komplekse, nuk kemi perceptime të këqija. Shqipëria, duke ardhur nga një periudhë e gjatë izolimi nga regjimi komunist, është një shtet që ka luftuar për të qenë i hapur, më shumë se të tjerët, sepse ne kemi qenë të izoluar më shumë se shtetet e ish-Jugosllavisë. Kjo nënkupton që ne jemi të hapur dhe mirëpresim këdo që ka dëshirë të vijë në Shqipëri. Pra, ta shohim ndoshta perceptimin nga ana serbe. Mendoj që ndonjëherë kur kemi ndonjë publikim pozitiv në mediat serbe ose rrjetet sociale, që flet për turizmin në Shqipëri, ka gjithmonë individë më të zhurmshëm për këtë, që flasin për këtë. Ky është procesi i komunikimit, mënyra e vetme se si mund ta ndryshojmë këtë perceptim. Pra, mendoj që është ekstremizmi i disa nacionalistëve të cilët ekzistojnë kudo, jo vetëm në rajonin tonë dhe mënyra e vetme për të luftuar kundër nacionalizmit është të jemi mendjehapur, te pranojmë historinë, ta pranojmë tjetrin – me “T” të madhe. “Tjetri” është brenda vetes sonë, pra “tjetri” është vetja ime, duhet ta pranoj dhe për ta pranuar më duhet ta ndryshoj mendësinë time. Mënyra e vetme për ta bërë këtë është nëpërmjet komunikimit dhe emancipimit.
Radio Evropa e Lirë: Përmendët çështjet e sigurisë në konferencë…
Mirela Kumbaro: Shqipëria është vendi më i sigurt. Jeni më i sigurt në Tiranë në Shqipëri se në Romë, Paris apo Londër. Pra, ndoshta do të ishte interesant për ju si media të bënit një lloj sondazhi me turistët serbë që kanë qenë në Shqipëri. Askush nuk ankohet, të gjithë janë të lumtur të jenë atje (në Shqipëri), të zbulojnë ushqimin sepse natyrisht që ne ofrojmë shumë (ushqime nga) tradita në gastronomi, por ne gjithashtu kemi shumë dallime. Kjo, sepse duke qenë pjesë e rajonit, por në të njëjtën kohë pjesë e zonës mesdhetare përmes Shqipërisë, mund të kemi përvoja më interesante për të treguar në brendësi të Ballkanit ku është Serbia.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë u ofron Shqipëria turistëve serbë?
Mirela Kumbaro: Së pari, trashëgimi kulturore. Shqipëria është par excellence shteti i tri religjioneve ku secili është i lumtur të jetë me secilin. Unë vetë jam me origjinë myslimane dhe bashkëshorti im është ortodoks, që nuk është rast unik, por ne të gjithë jemi kështu- martesa të përziera. Dhe, kjo është një nga origjinalitetet tona, një shtet ku tri religjionet ortodoksët, katolikët dhe myslimanët jetojnë së bashku, martohen mes vete dhe ndërtojnë së bashku, jo vetëm sot por përgjatë historisë. E treta, trashëgimia kulturore arkeologjike ku të gjitha qytetërimet janë të kryqëzuara me njëra-tjetrën dhe mund të gjeni vende të trashëgimisë kulturore që janë pjesë e trashëgimisë kulturore botërore, pjesë e UNESCO-s, siç janë Gjirokastra dhe Berati. Janë dy qytetet më të vizituara, por gjithashtu kemi edhe Parkun Arkeologjik të Butrintit dhe atë të Apollonisë. Mund t’i vizitoni dhe të jeni më se të lumtur. Kemi itinerar religjioz të quajtur “rruga e besimit” me kisha të vjetra bizantine dhe post- bizantine, me xhamia të vjetra. Kemi një trend të ri tani që është gastronomia. Mund të jeni në Shqipëri vetëm për ta shijuar ushqimin, nga peshku deri te mishi, nga kuzhina vegjetariane te shefat e kuzhinës, të cilët tani po kombinojnë recetat tradicionale me ato moderne – ndoshta mund t’i gjeni edhe në Serbi tani. Ne, po ashtu, kemi zona të mbrojtura, të cilat janë një potencial i madh për Shqipërinë. Së fundmi, me vendim të Qeverisë e kemi marrë nën mbrojtje 21 për qind nga 70 për qind të territorit (turistik). Deri më 2023 synojmë ta kemi nën mbrojtje 30 për qind të territorit – që nënkupton se mund të kemi turizëm jo vetëm në kohë vere në pjesën më atraktive që është bregdeti, por gjithashtu në dimër, pranverë dhe vjeshtë që është një nga periudhat më të mira në Shqipëri. Pra, ofrojmë larmi, rafting (sport lundrimi në rrjedhën e lumenjve), ecje, ngjitje në male e pylltari. Kemi propozime për të gjitha dëshirat e turistëve serbë, por edhe të tjerëve. Pra, ajo çfarë është e rëndësishme është se kudo që shkoni, mund të gjeni diçka të re. Po ashtu, kemi folklorin dhe muzikën dhe kemi disa nga festivalet më të mëdha të muzikës gjatë verës, siç është “Kala-Festivali” në jug të Shqipërisë, në Dhërmi në Detin Jon, kemi pasur tri javë të këtij festivali të ardhur nga Britania. Festivali “UNUM” është një tjetër aktivitet muzikor që mbledh më shumë se 20 mijë njerëz gjatë një jave në Shëngjin – një tjetër bregdet në Shqipëri. “Kala-Festivali” kthehet sërish në shtator me dy javë të tjera. Biletat tashmë janë në shitur, por ndoshta për disa miq nga Serbia do të kemi gjithmonë mundësinë t’i mirëpresim. Çdo javë dhe çdo fundjavë kemi ngjarje të mëdha, nga jugu në veri. Dhe, kjo është arsyeja pse jam në Beograd, jo vetëm me delegacionin zyrtar, por gjithashtu edhe me përfaqësues të sektorit privat nga hoteli me pesë yje “Marina Bay in Vlora”, me një nga kompanitë me aktivitetin më të madh në rajon, Landways dhe me një akademi private që ofron trajnime për burime njerëzore në sektorin privat në turizëm, që është e rëndësishme. Të themi se kemi shumë njerëz nga stafi menaxhues në sektorin e turizmit nga Serbia që punojnë në Shqipëri, si menaxherë gjeneral të hoteleve me pesë yje, të restoranteve të mëdha, pra sektori privat i Serbisë veçse është në Shqipëri. Pra, le t’i ftojmë gjithashtu turistët për argëtimin (që ofron Shqipëria), por edhe me dëshirë të madhe për t’i mirëpritur si miq.
Radio Evropa e Lirë: Si ndikon “Ballkani i Hapur” në turizmin dhe bashkëpunimin ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë?
Mirela Kumbaro: Ajo çfarë po them deri tani është rezultat i filozofisë së re, i nismës së re politike “Ballkani i Hapur”. “Ballkani i Hapur” ka filluar si një nismë e re e tre liderëve politikë të tri shteteve tona dhe tani po bëhet strategji ekonomike, po bëhet trend i ri në turizëm dhe mendoj më e rëndësishmja, po bëhet – po e ritheksoj – instrument i ri i emancipimit. Sa për turizmin, jemi përkushtuar në samitin e fundit të “Ballkanit të Hapur” në Ohër të aplikojmë instrumente të reja, platformë të re digjitale që do të fillojë nga Beogradi dhe do të ndahet me të tjerët. Dhe, e dyta, nisma e re për panaire të ushqimit dhe verës, e cila do të jetë fillimisht në Beograd në shtatorin e ardhshëm dhe do të vazhdojë për vitet e ardhshme me kryeqytetet tjera, Tiranë dhe Shkup. Pra, ideja është të krijohet slogan i ri, markë e re për Ballkanin, e cila nuk u përket vetëm tri shteteve të “Ballkanit të Hapur”. Jam e sigurt se do të ndahet edhe nga shtetet tjera, sepse po e shohim çfarë po ndodh në Evropë dhe në botë. Rajoni po bëhet çdo ditë më i rëndësishëm dhe ne duhet ta mbështesim njëri-tjetrin, sepse është mënyra më e mirë për t’i tejkaluar vështirësitë siç janë COVID-19, lufta në Ukrainë. Pra, këto kriza duhet të jenë të mbështetura, jo vetëm nga politika, por edhe më shumë nga komunikimi ndërmjet popujve. Popujt kanë jetëgjatësi më të madhe se politikanët.
Radio Evropa e Lirë: Ku e shihni hapësirën për përmirësim te paragjykimet e turistëve serbë për Shqipërinë. Ku e shihni atë hapësirë për të përmirësuar atë imazh?
Mirela Kumbaro: Komunikimi. Qeveritë janë të përkushtuara të promovojnë njëra-tjetrën. Unë mendoj – dhe po e ritheksoj – ne duhet të komunikojmë më shumë, media duhet të komunikojë më shumë, media e ka një rol të rëndësishëm për ta luajtur, sepse media profesionale është e sfiduar nga rrjetet sociale dhe sa më shumë të jemi të pranishëm në rrjetet sociale me rezultatet tona, me realitetet tona, do të ketë më pak vend për ekstremizëm. Mendoj që në vitin 2022, është e rëndësishme të promovohen aspekte të reja, ide të reja. Paragjykimet janë pjesë të njerëzimit, të historisë njerëzore, me të cilat duhet të jetojmë, por jo në mënyrë pasive. Duhet të jemi më aktivë se paragjykimet dhe perceptimet ekstremiste. Pra, kjo është detyrë e shoqërive të civilizuara dhe detyrë e jona si politikanë të bëjmë sa më shumë që mundemi në mënyrë që t’i luftojmë ato përmes arsimit, librave, mediave, televizionit dhe përmes sektorëve ekonomikë, siç është turizmi./REL