EDITORIAL MONITOR/ Siç e dinte mirë opozita e para 2013-s, një shtet rritet e zhvillohet duke përmirësuar sundimin e ligjit, duke forcuar transparencën dhe konkurrencën në treg, e duke incentivuar bizneset inovatore. Në vend të ideve të vjetra, qeveria bën mirë të shpluhurosë angazhimet e vjetra të saj.
Dekada e fundit na ka përballur me shumë nisma, të cilat janë hedhur nga Qeveria në tavolina debatesh. Nismat kanë qenë nga më të pazakontat për një vend si Shqipëria, duke filluar që nga legalizimi i kanabisit, amnistia “fiskale”, e deri te nismat e fundit për risjelljen e basteve, apo dhe shitja e nënshtetësisë.
Këto nisma kanë të përbashkët një element: çojnë në një model ekonomie parazitar dhe përjashtimor për një pjesë të popullsisë dhe biznesit, madje për pjesën më të shëndoshë e më me integritet të saj.
Vendi po përballet me një emigracion me ritme shqetësuese, tërheqje të kapitalit perëndimor dhe mungesë të theksuar të investimeve të huaja.
Mungesa e reformave konkrete, paqëndrueshmëria e ambientit fiskal apo dhe problemet e theksuara me sistemin e drejtësisë dhe zbatimin e ligjit, duke shtuar dhe faktin e të qenët një treg i vogël dhe jo domethënës, bëjnë që vendi ynë të mos jetë në hartën e investitorëve strategjikë.
Jo vetëm kaq, por gjithashtu e bëjnë vendin të pasigurt dhe për shtetasit e vet, të cilët janë të detyruar të emigrojnë masivisht.
Në kushtet e mungesës së vullnetit për të reformuar dhe për të krijuar një mjedis tërheqës për investime dhe kapital, fokusi i qeverisë është te nismat “ekzotike”.
Në fillim të verës, qeveria hodhi në publik idenë e “amnistisë fiskale”, e cila i ngjante më shumë një amnistie ligjore. Rreziku se Shqipëria do të kthehej në një vendstrehimi të sigurt për paratë kriminale të rajonit dhe më gjerë bënë që një sërë organizatash ndërkombëtare të reagonin më ashpër se kurrë më parë ndaj qeverisë.
Ndërkohë, siç kemi shpjeguar në numrat e mëparshëm të revistës, jo të pakët ishin edhe zërat në vend që shpjeguan se një nismë e tillë nuk është aspak garanci zhvillimi. Në të kundërt, ato rrezikojnë të kriminalizojnë përfundimisht ekonominë dhe politikën shqiptare.
Pak javë më pas, qeveria është rikthyer me dy ide të tjera: shitja e nënshtetësisë dhe rikthimi i lojërave të fatit.
Shitja e nënshtetësisë edhe nga vende më të pasura është parë dhe komentuar shpesh si një mënyrë për të tërhequr kapitale nga vende më të varfra, qoftë edhe të krijuara në mënyra të dyshimta drejt vendeve të zhvilluara. Por në themel të këtyre politikave qëndron përherë një supozim: shteti ligjor dhe mbrojtja e garantuar që ofrohet për të gjithë përpara ligjit.
Është më se e kuptueshme se pse politikanë apo sipërmarrës të Botës së Tretë rendin për të siguruar të ardhmen e tyre dhe të familjeve në shtetet ku pasuria e tyre nuk do të cenohej edhe nëse nuk shtohet më tej.
Por është komplet e paqartë pse kapitale të tilla duhet të rendin drejt Shqipërisë, një vend prej të cilit po vrapojnë të largohen sipërmarrës të huaj e profesionistë shqiptarë.
Po kështu, edhe nisma për të rilejuar lojërat e fatit ecën mes shumë dritëhijeve që qeveria asnjëherë nuk i ka diskutuar publikisht. Është e vërtetë se çdo nismë që synon nxjerrjen e jashtëligjshëm të një aktiviteti njerëzor përfundon jo duke e zhdukur, por duke e kriminalizuar atë.
Pikërisht për të shmangur efektet e kriminalizimit të një aktiviteti, e jo për të gjeneruar të ardhura të rëndësishme fiskale, shumë vende të zhvilluara kanë ligjëruar aktivitete si prostitucioni, apo kultivimi dhe tregtia e drogave të lehta. Por qeveria shqiptare i dinte të gjitha këto vite më parë.
Modele për lejime të kufizuara të aktiviteteve kishte kudo dhe mund të adoptoheshin që në fillim, duke shmangur shpërhapjen masive dhe vërtet të dëmshme të lotove në çdo cep të Shqipërisë.
Rikthimi i basteve sportive, pa shpjeguar se cilët janë përfituesit më të mëdhenj të industrisë, e pa ndonjë strategji të re sociale, e bën akoma dhe më të paqartë përfitimin publik që u arrit nga ndalimi i tyre.
Në praktikë, nisma të tilla të zbatuara në ambiente me dobësi të theksuara institucionale dhe pa përpjekje serioze për forcimin e tyre e kriminalizojnë ekonominë, rrisin shkallën e përjashtimit të individëve dhe bizneseve me integritet dhe respekt për ligjin, duke nxitur më tej largimin nga vendi të njerëzve dhe kapitalit, si të investitorëve të huaj, ashtu edhe vendas.
Nga ana tjetër, këto nisma nxiten edhe nga justifikimi i përhershëm për nevojën për të mbushur arkën e shtetit. Në vitin 2022, në mungesë të thellë burimesh të reja të rritjes ekonomike, qeveria po i rikthehet idesë së rrezikshme se çdo lloj kapitali, pavarësisht formës dhe origjinës, është i mirë për aq sa paguan sadopak taksa, për të pasur burime publike për të vijuar me axhendën e shpenzimit të tyre.
Një shtet rritet e zhvillohet, duke përmirësuar sundimin e ligjit, duke forcuar transparencën dhe konkurrencën në treg, e duke incentivuar bizneset inovatore. Në thelb, kjo mbetet platforma utopike që u ofrohet qytetarëve të këtij vendi sa herë që ka zgjedhje të reja.