Mes tensioneve midis Turqisë dhe Greqisë, presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, ka paralajmëruar Athinën, duke i kërkuar të mos shkojë “shumë larg” pasi në të kundërt do të paguaj çmim të rëndë.
Duke iu referuar disfatës së trupave greke në 1922, Erdogan i kërkoi Greqisë të mos harrojë “Izmirin”.
“Turqia është aktualisht në vendin e dytë për nga zhvillimi. E dini, kur thonë ‘turq të çmendur’, turqit e çmendur vazhdojnë rrugën e tyre të zhvillimit. O Helen, shiko historinë, kthehu në histori, po të shkosh shumë larg, çmimi do të jetë i rëndë. Ne kemi një propozim për Greqinë, mos harroni Izmirin”, tha Erdogan.
Presidenti Erdogan tha se pushtimi i ishujve të Egjeut nga Athina ‘nuk është shqetësimi ynë’, duke shtuar:
“Kur të vijë koha, ne do të bëjmë atë që është e nevojshme. Siç themi, krejt papritur, mund të vijmë brenda natës.”
REAGON ATHINA ZYRTARE:
Për Athinën zyrtare këto janë deklarata provokuese. Ministria e Jashtme e Greqisë në një reagim tha se “kërcënimet e Turqisë janë përtej çdo kufiri”, duke theksuar se do të njoftojnë partnerët.
Njoftimi i Ministrisë së Jashtme:
“Greqia nuk do të ndjekë Turqinë në zbritjen e përditshme të egër dhe përtej çdo kufiri të deklaratave dhe kërcënimeve. Ne do të informojmë menjëherë aleatët dhe partnerët tanë për përmbajtjen e deklaratave provokuese të ditëve të fundit, për të bërë të qartë se kush po e dinamizon kohezionin e aleancës sonë në një periudhë veçanërisht të rrezikshme. Në të njëjtën kohë, ne do të vazhdojmë të operojmë, bazuar në rregullat e së drejtës ndërkombëtare dhe të ligjit të detit, si një shtyllë stabiliteti dhe sigurie për rajonin”