Rreth 3,2 miliardë lekë parashikohet të shpenzohen nga buxheti i shtetit në luftën kundër terrorizmit për periudhën 2022-2025. Ministria e Brendshme ka publikuar në konsultimet publike projektvendimin “Për një shtesë dhe një ndryshim në vendimin nr. 1137, datë 16.12.2020 “Për miratimin e strategjisë ndërsektoriale të luftës kundër terrorizmit 2021–2025 dhe të planit të veprimit 2021-2023”.
Aktualisht janë në fuqi dy strategji që rregullojnë fushën e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Nga Ministria e Brendshme është vlerësuar e nevojshme që të dy dokumentet strategjikë të harmonizohen në një dokument të vetëm strategjik duke përfshirë veprimtarinë e gjithë institucioneve përgjegjëse në harmoni me legjislacion e BE-së.
Strategjia do të implementohet përmes dy planeve të veprimit përkatësisht Planit të Veprimit të Luftës Kundër Terrorizmit 2022-2025 dhe Planit të Veprimit të Parandalimit dhe Kundërshtimit të Ekstremizmit të Dhunshëm 2022-2025. Kosto totale e Planit të Veprimit është 3,205,625,015 Lekë ku 52% (ose 1,652,529,338 lekë) e të cilit financohet nga PBA 2021-2023 dhe 48% (ose 1,553,095,677 lekë) e tij nga PBA 2023-2025.
Në draft theksohet se do t’u kushtohet shumë rëndësi zbatimit të programeve të rehabilitimit për riintegrimin e personave të kthyer nga zonat e konfliktit në mënyrë specifike për rehabilitimin e fëmijëve dhe të rinjve. Në këtë kuadër do të zhvillohen trajnime, tryeza pune dhe fushata ndërgjegjësuese dhe informuese për mësuesit e shkollave që trajtojnë riintegrimin e fëmijëve të kthyer nga zonat e konfliktit, për shërbimin psiko-social.
Disa nga projektet kryesore që financojnë dhe mbështesin aktivitetet e Planit të Veprimit të Parandalimit dhe Kundërshtimit të Ekstremizmit të Dhunshëm 2022- 2025 janë ai i riintegrimit të luftëtarëve të huaj terroristë të kthyer dhe familjeve të tyre nga zonat e konfliktit. Vlera totale për të gjitha shtetet, pra vlera e projektit rajonal është 1,500,000 euro. Mesatarja për shtet 300,000 euro.
Një tjetër projekt me vlerë 50 milionë lekë për Shqipërinë do të jetë ai për riintegrimi i qëndrueshëm në komunitet i shtetasve shqiptarë të kthyer nga Siria.
Ndërsa janë duke u zbatuar edhe dy projekte të tjera njëri me vlerë 60 mijë USD i financuar nga ambasada amerikane në Tiranë për promovimin e partneritetit nxënës-mësues -prindër në 8 shkolla fillore të përzgjedhura në komunitete me rrezik të lartë për t’u përfshirë në veprime të dhunshme ekstremiste. Projekti ka nisur në tetor 2021 dhe përfundon në shtator 2022.
Ndërsa projekti tjetër që po zbatohet në partneritet me Qendrën e Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm në pesë rajone si Tirana dhe Durrësi, Dibra, Korça, Elbasani dhe Kukësi mbështet riintegrimin e grave dhe fëmijëve nga zonat e luftës. Projekti përfundon në dhjetor të 2022. /monitor