Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, denoncoi dje atë që ai e quajti aferë që do të mjaftonte burgosjen deri në 12 vite burg të personave që kanë firmosur në “letrat” që i hapën rrugën marrjes së tenderit për të ndërtuar ujësjellësin e Memaliajt nga bashkimi i kompanive “KEG” sh.p.k. dhe “ED KONSTRUKSION” sh.p.k.
Bëhet fjalë për një tender me vlerë rreth 4 milionë euro me TVSH. Sipas Metës, ky është një tender tërësisht korruptiv, sepse jo vetëm që nuk ka pasur garë, pasi ka konkurruar me veten vetëm një kompani, por kjo e fundit është shpallur fituese me gati 99.9 % të vlerës së fondit limit. Por, për çfarë bëhet fjalë konkretisht, kush fshihet pas kompanisë që ka marrë një thelë kaq të majme dhe çfarë thonë “letrat” e tjera?
Kompania “ED KONSTRUKSION” sh.p.k., pronë e vëllezërve Alfred dhe Eduart Ibrahimi duket të jetë një ndër më të preferuarat e bashkive në vend duke fituar kontrata thuajse pa garë, të cilët janë shënjuar me flamuj të kuq edhe nga platforma të prestigjioze të monitorimit të tenderëve në Shqipëri, siç është “Open Procurement”, e financuar nga ndërkombëtarët me qëllim luftën ndaj korrupsionit në vend shkruan “ABC”. Por, kur vjen puna te miratimi “nga lartë” duket se nuk ka platformë që i bën ballë kësaj kompanie me NIPT: K61625001I.
PROBLEMET E TENDERIT
Të qëndrojmë pak të tenderi i ujësjellësit rajonal të Memaliajt, i cili është unik në llojin e tij, pasi sipas të dhënave zyrtare, bashkimi i kompanive “KEG” sh.p.k. dhe “ED KONSTRUKSION” sh.p.k. ka garuar me veten dhe si e tillë, nuk ka ngurruar të tregohet “bujare” duke ulur vetëm 1 463 lekë. Logjika e tenderit është që një punë publike të bëhet me sa më pak para dhe me cilësi më të lartë. Kushti që kjo të funksionojë lidhet drejtpërdrejt me garën e vërtetë mes operatorëve në treg, por duket qartë që kjo nuk ka ndodhur me tenderin e ujësjellësit të Memaliajt, por edhe në tenderët që do t’ju radhisim më poshtë.
Duket aq qartë sa kompania është shpallur fituese e një tenderi me vlerë limit 487 milionë lekë me TVSH, duke ulur vetëm 1 463 lekë ose më diçka më shumë se 10 euro! Po a është ky rasti i vetëm? Aspak! Referuar të dhënave të përpunuara nga Abcneës.al, të cilat gjenden në mënyrë publike edhe online, “ED KONSTRUKSION” sh.p.k. është një kompani tipike që vepron në këtë mënyrë duke fituar tenderë pa garë me çmime mbi 95% të fondit limit. Sipas këtyre të dhënave, kompania në fjalë merr tenderë kryesisht nga bashkitë për ndërtim rrugësh, ujësjellësish apo shkollash me fokus në bashkinë e Tiranës dhe atë të Sarandës, ndërkohë që spikasin edhe tenderë në bashki të tjera, siç janë Lezha, Kavaja, Patosi, Dimali, Kuçova, etj.
Ndryshimi i pushtetit në vitin 2013 duket se i ka marrë shumë për mbarë kësaj kompanie, pasi rezulton se që prej vitit 2015 deri në 2020 të ketë 8-fishuar xhiron duke shkuar nga 1.1 milionë euro në vitin 2015 në 8.3 milionë euro në vitin 2020. Ajo që vlen të theksohet është fakti se shumicën dërrmuese të xhiros, rreth 86%, kompania e ka realizuar pikërisht prej kontratave publike. Nga totali prej rreth 25.7 milionë euro xhiro që ka pasur nga vitin 2015 në 2020, plotë 22 milionë i ka realizuar pikërisht me tenderët e bashkive. Praktika tregon se një pjesë e mirë e tenderëve të konsideruar me flamuj të kuq në lidhje me “ED KONSTRUKSION” kanë të bëjnë kryesisht me përcaktimin e kritereve të pjesëmarrjes dhe shpalljes së fituesit në atë mënyrë që të i përshtaten vetëm kësaj kompanie dhe asnjë tjetre.
GARA ME VETEN
Jo më kot, në shumicën e rasteve në këto tenderë, “ED KONSTRUKSION” shpallet fituese pasi ka garuar me veten duke ofruar më shumë se 95% të fondit limit. Sipas analizës së të dhënave edhe nga “Open Data Albania”, nga 40 procedurat që ka fituar e vetme, 10 prej tyre me vlerë kontrate rreth 2.8 milionë Euro (rreth 94 % nga fondi limit), rezultojnë me flamur të kuq (red flag), ndërsa nga 59 procedurat si bashkim operatoresh me flamur të kuq janë 17 prej tyre me vlerë kontrate rreth 18.7 Euro (rreth 94 % nga fondi limit), që tregon se procedurat e ndjekura janë të kundërligjshme, ndërsa konkurrenca ka qenë thuajse zero.
Me konkretisht flamujt e kuq që konstatohen janë:(i) Mungesë konkurrence ku prokurimi zhvillohet me një konkurrent të vetëm. Shpesh këto procedura me shumë se mungesë konkurrencë në treg janë tregues i formulimit të kritereve dhe afateve për dorëzim dokumentacioni në favor të një kompanie të paramenduar klienteliste. (ii) Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit ku Autoriteti Prokurues ka skualifikuar të gjithë operatorët pjesëmarrës në garë me ofertë më të ulët se oferta fituese.
Provat janë të qarta në lidhje me praktikat në fjalë. “ED KONSTRUKSION” ka marrë dhjetëra miliona euro nga taksapaguesit shqiptarë përmes këtyre makinacioneve. Një prokuror i SPAK, qoftë edhe me jo shumë eksperiencë do të mjaftonte për të zbërthyer “çarkun” e korrupsionit galopant, i cili përpin miliona euro sikur të ishin hiçgjë, ndërkohë që mund të përdoreshin për të ndërtuar më shumë rrugë, shkolla apo ujësjellës dhe me një cilësi më të mirë. A duhet më për të nisur një hetim?!. /Gazeta Panorama