Partia e Lirisë thotë se çmimi i naftës mund të ulet vetëm në dy rrugë, e para është shkrirja e Bordit dhe e dyta pezullimi i taksës së qarkullimit dhe ai i karbonit. Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili tha se depozitimi përkatës është bërë që në muajin mars.
“Që në fillim të marsit kemi depozituar projektligjin përkatës për uljen e çmimit të karburantit përmes pezullimit të taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit, Një masë që ky çmim të ndryshojë. Rrugët për ta zgjidhur janë dy: Shkrirja e Bordit mafioz dhe ulja e taksave”, tha Vasili.
Ndërkohë kryetari i PL-së, Ilir Meta tha se kjo forcë politike shumë shpejt do të propozojë edhe ligjin për indeksimin e pagave. Ndërsa e quan Ramën, kryeministër në largim, Meta tha se për shkak të tij populli po paguan shumë rëndë çmimet e larta.
“Përveç iniciativës që ka marrë deputeti Vasili për propozimin konkret për të ulur çmimin e karburanteve. Partia e Lirisë së shpejti do të propozojë edhe ligjin për indeksimin e pagave që është një problem i jashtëzakonshëm dhe shumë iniciativa të tjera që tregojnë qartë vizionin e kësaj force politike dhe ndjeshmërisë së shtresave në nevojë që po vuajnë këtë sjellje arbitrare të kryeministrit në largim. Populli po paguan shumë rëndë çmimin e karburanteve por edhe të çmimeve të tjera. Këto janë rezultat i këtij korrupsioni pa fre që do ë ndëshkohet shumë shpejt”, tha Meta.