Tre komando holandeze, të cilët ndodheshin në SHBA për stërvitje, janë qëlluar dhe plagosur jashtë një hoteli në qytetin e Indianapolis, teksa ishin jashtë detyrës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:30 të mëngjesit të së shtunës me orën lokale në një nga lagjet argëtuese të qytetit.
Policia e Indianapolis thotë se oficerët u gjetën të plagosur me armë zjarri nga qytetarët dhe më pas ata u dërguan për spital për të marrë ndihmën e nevojshme. Ministria holandeze e mbrojtjes tha se njëri nga burrat ishte në gjendje kritike, ndërsa dy të tjerët ishin të vetëdijshëm.
Bëhet me dije se të tre ushtarakët, ishin anëtarë të Korpusit Komando, një nga njësitë e operacioneve speciale në forcat e armatosura të Holandës. Të shtënat kanë ndodhur gjatë kohës së lirë para hotelit ku ata po qëndronin, shtoi ministria holandeze.
Policia lokale tha se besonte se kishte pasur një grindje të mëparshme mes tre ushtarakëve dhe një personi ose grupi tjetër. Duke folur për FOX59, një oficer i Departamentit të Policisë Metropolitane të Indianapolis tha: “Ishte një sherr i mëparshëm, besojmë në një vend tjetër”.
Ministria holandeze e mbrojtjes tha se familjet e të plagosurve ishin informuar dhe se një hetim nga policia lokale ishte duke u zhvilluar. Asnjë arrestim nuk është bërë në lidhje me rastin.