“Nuk duhet ta quajmë këtë luftë lokale apo rajonale. I gjithë Perëndimi po bën luftë kundër rusëve përmes Ukrainës: ky është pothuajse një konflikt global. Na mungon vetëm një konflikt i rëndësishëm në Azi”, tha presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, në një intervistë për TV Pink.
Vuçiç nuk është në një pozicion të mirë për të dhënë mësim mbi zgjidhjen e tensioneve në Europën Lindore. Serbia është ndër vendet që varen si nga Rusia dhe nga Perëndimi.
Që nga shpërthimi i luftës, Vuçiç ka qenë i lëkundur dhe u ka dërguar sinjale të përziera partnerëve lindorë dhe perëndimorë, duke i paraqitur hapat e tij si të detyruar dhe duke theksuar dëshirën për t’u dhënë përparësi interesave serbe. Për të kompensuar pjesërisht për ngurrimin e tij për të vendosur sanksione antiruse, ai mbështeti disa rezoluta ndërkombëtare që dënojnë veprimet e Moskës.
Disa vëzhgues shprehën habinë që Serbia nuk shfrytëzoi mundësinë për të abstenuar kur votoi për pezullimin e Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Megjithatë, Vuçiç mund të ketë pasur frikë se partnerët e tij perëndimorë mund ta interpretonin këtë veprim si “mbështetje për agresorin”.
Kështu ai i tha audiencës ruse se kishte qenë nën presion nga Perëndimi, dhe njëkohësisht e siguroi Perëndimin se mbështeste integritetin territorial të Ukrainës. Ai gjithashtu deklaroi se do të vinte vendin e tij në radhë të parë, duke shtuar se Serbia kishte rënë pre e agresionit të NATO-s në vitin 1999. Për sa u përket sanksioneve, ai e vë në dyshim efikasitetin e tyre.
Kurthi i gazit
Si një vend kandidat për në BE, për vite me radhë, Serbia është përballur me kërkesa për të harmonizuar politikën e saj të jashtme me pozicionin europian. Megjithatë, ajo duhet t’i bëjë qejfin edhe Moskës, e cila i ofron mbështetje diplomatike për çështjen e Kosovës dhe përcakton çmimin për gazin natyror.
Siç e dimë të gjithë, ky çmim rezulton nga një sërë faktorësh politikë dhe qeveria serbe dëshiron të shmangë rreziqet e tepërta, duke marrë parasysh varësinë e saj pothuajse 100 për qind nga furnizimi rus dhe mungesën e alternativave rajonale.
Përveç kësaj, kontrata e fundit, të cilën Vuçiç e negocioi me Kremlinin në fund të majit, ishte më pak fitimprurëse se paraardhësja e saj (ku çmimi i ri për 1000 metra kub gaz natyror, u vendos në 400 dollarë në vend të 270 dollarëve), dhe udhëheqësi serb pret një dimër të ashpër, ndërkohë që po përgatitet edhe për skenarin më të keq të konfliktit të armatosur.
Pas zgjedhjeve në prill, kur Vuçiç mbajti mandatin e tij presidencial dhe kontrollin mbi Parlamentin, SHBA-ja dhe BE-ja prisnin që Beogradi të distancohej më tepër nga Kremlini.
Megjithatë, nuk ndodhën ndryshime të rëndësishme në politikën e saj kundrejt Rusisë. Ndërkohë, Vuçiç është duke zvarritur procesin e krijimit të një qeverie të re, e cila zakonisht ka figura pro-ruse (si ministri i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin) dhe gjithashtu disa figura pro-perëndimore.
Vëzhguesit besojnë se mungesa e një kabineti të ri ministrash është një pengesë për rivlerësimin e shumëpritur të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Rusisë. Sipas mediave proqeveritare, qeveria e re mund të krijohet deri në gusht. Duket se udhëheqësi serb po përdor të gjitha mundësitë kushtetuese për të shtyrë vendosjen e sanksioneve antiruse, mbi të gjitha, ngaqë rezervuarët e depozitimit të gazit nuk janë mbushur ende.
Edhe pse autoritetet serbe kanë premtuar shumë herë se do të abstenojnë nga një embargo, qëndrimi i tyre nuk është përcaktuar përfundimisht. Vuçiç ka njoftuar se do të kundërshtojë sanksionet antiruse derisa “Serbia të detyrohet të veprojë ndryshe”.
Thirrjet ndaj Beogradit për të harmonizuar politikat e tij me qëndrimin e BE-së, nuk kanë përfshirë kërcënime për të bllokuar rrugën europiane të Serbisë.
Megjithatë, lufta në Ukrainë, kandidatura për në BE dhe çështja e sanksioneve, trajtohen së bashku. Në këtë drejtim, nuk mund të përjashtojmë mundësinë që perspektivat e integrimit europian të Serbisë mund të rrezikohen nga refuzimi i saj për t’u distancuar nga Moska.
Që kur Rusia pushtoi Ukrainën, në Beograd nuk ka ardhur asnjë zyrtar i lartë rus. Në fund të shkurtit, Serbia anuloi vizitën e sekretarit rus të Këshillit të Sigurimit, Nikolai Patrushev, dhe në qershor, u anulua vizita e ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov, sepse Bullgaria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, nuk pranuan të jepnin leje fluturimi.
Pavarësisht zhgënjimit të shprehur nga udhëheqësit serbë, ata me shumë gjasa u ndien të lehtësuar që nuk do të shtrëngonin duart para kamerave me një politikan rus, të akuzuar për krime masive lufte.
Nëse armiqësitë vazhdojnë, Beogradi duhet të rivlerësojë marrëdhënien me Moskën për të shpëtuar lidhjet me donatorët kryesorë financiarë dhe garantuesit e sigurisë në Ballkan.
Konflikti i zgjatur i armatosur do të rezultojë në izolimin afatgjatë të Rusisë, dëme kolosale për ekonominë e saj dhe dobësimin e pozitës ndërkombëtare, duke e bërë atë automatikisht një partner të padëshirueshëm.
Para luftës, Rusia renditej e katërta në marrëdhëniet e jashtme ekonomike të Serbisë me një vëllim tregtar të ndërsjellë prej 2.5 miliardë dollarësh: poshtë Gjermanisë, Italisë dhe Kinës, por më lart se Hungaria dhe Rumania. Vëllimi i investimeve ruse në Serbi vlerësohet në 3 miliardë dollarë.
Në vitet e ardhshme, këta tregues do të ulen dhe Rusia nuk do të jetë në gjendje të përballojë dot financiarisht projekte ambicioze në Ballkan. /Monitor-Yulia Petrovskaya/The Insider