Senati amerikan ka miratuar paketën që do të shkojë në ndihmë të Ukrainës, Izraelit dhe Tajvanit. Kjo paketë arrin vlerat 95.34 miliardë dollarë. Presidenti, Joe Biden ka bërë kërkesën për miratim në Kongres prej muajsh.
Pas sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor, Biden kërkoi fonde për aleatin e SHBA-së, së bashku me ndihmën humanitare për palestinezët në Gaza.
Ndërkohë Ukraina ka bërë thirrje për armë pasi janë në mungesë në një periudhë kur Rusia po vijon sulme të reja.
Të dy dhomat e Kongresit duhet të miratojnë legjislacionin përpara se Biden ta nënshkruajë atë në ligj.
Legjislacioni përfshin 61 miliardë dollarë për Ukrainën, 14 miliardë dollarë për Izraelin në luftën e tij kundër Hamasit dhe 4.83 miliardë dollarë për të mbështetur partnerët në Indo-Paqësorin, përfshirë Tajvanin, dhe për të frenuar agresionin nga Kina.