Shëndetësia falas ishte premtimi që qeveria dha qysh në nisje të fushatës zgjedhore që pasoi mandatin e parë qeveritar. Shërbime cilësore, ilaçe me rimbursim dhe më pak radhë për të shkuar te mjeku u premtuan si nga kreu i qeverisë edhe nga ministrat që mbajtën postin në Ministrinë e Shëndetësisë. Por, deri tani shëndetësia falas ka rezultuar dështim.
Pacientët janë të detyruar të enden dyerve të spitaleve nga kati më kat për të marrë informacion, pa lere më për të kryer konsulta, ndërhyrje kirurgjikale, kimioterapi, biopsi ose vizita rutinë me mjekun. Vizitat në shtet janë kthyer në “luks”. Një qytetar që vjen nga rrethet (pasi shëndetësia andej prej kohësh është lënë në harresë) duhet ose të ketë patjetër të afërm në Tiranë ose të bëjë vajtje-ardhje, se mjekët nuk japin dot një datë për vizitë, një datë për operacion apo për ndërhyrje të tipit biopsi. Sigurisht, këto janë shënime të protokollit, por a e ka luksin një pacient të presë me ditë të tëra për një shërbim?
Një pacient pret prej 6 muajsh të kryejë një biopsi veshke. Kalvari nis me rekomandimet që duan ditë të aprovohen dhe hidhen në sistem, vizitat që shtyhen e shtyhen e deri tek analizat gjysmake, sepse je i detyruar që për disa t’i drejtohesh privatit pasi mjekët justifikohen me argumentin “nuk kemi ilaç” ose “s’ka ardhur pajisja”.
Patjetër, nuk do të bëjmë avokatin e askujt, por do të themi dy-tre fjali për të sjellë realitetin që e kuptojnë vetëm ata të cilët e kanë një sëmundje ose një shqetësim.
Të bësh një biopsi (në rastin specifik të veshkës) deri tani pacientit i ka marrë 8 muaj kohë dhe ende nuk e ka kryer. Emri i tij nuk figuron në listat e pacientëve që janë në pritje të kryerjes së biopsisë. Nefrologia e cila e ka ndjekur hap pas hapi nga diagnoza në mjekim mohon që të jenë kryer biopsi sipas saj që nga muaji qershor. E këtu ngrihen dy pyetje. E para, pacienti është njoftuar për nevojën e kryerjes së një biopsie në maj dhe nëse biopsitë janë kryer deri në qershor, pse nuk është njoftuar? E dyta, sa e rrezikon shëndetin e pacientëve shtyrja e një biopsie? Një mjek sigurisht e di shumë mirë se çdo sëmundje ka limitet e veta dhe gjendja avancon nga dita në ditë, jo më të presë me muaj.
Privatisht, një specializante e cila kërkoi disa dokumente nga pacienti për një studim që po kryente, e informon zotërinë se në fakt procedura e kyerjes së biopsisë në shtet kalon në 4 faza, që përafërsisht sipas saj shkon në një vit në rastin më të mirë. Por, nëse ky pacient e kryen këtë procedurë me afat kohor një vit, po këto 8 muaj që ka pritur, çka ndodhur me veshkën e tij?
Kryerja e së njëjtës procedurë në një spital privat i kushtonte pacientit ndoshta më shumë në çmim, por zgjaste vetëm 2-3 javë. Pse kjo diferencë nga shteti në privat? Dhe kush e ka fajin? Protokollet e spitalit? Keqmenaxhimi i qeverisë? Presionet e koncesionarit?
Ne, si taksapagues, kemi derdhur miliona euro për koncesionet në shëndetësi që po shumohen nga viti në vit. Rezultati: zero shërbim dhe përgjegjësi. Na duhet të presim me muaj për të kryer një analizë, me muaj për të caktuar një konsultë, me muaj për të kryer një operacion. Sepse shteti nuk na bën dot derman. T’i drejtohemi privatit ndonjëherë stepemi, sepse pakujdesia shpesh ka çuar në fatalitet. Shteti nuk duhet të zgjohet vetëm në fushata zgjedhore.