Është gjithmonë legjitime të jesh në vëzhgim në një marrëdhënie për ato shenja që mund të tregojnë se nuk ke gjetur personin e duhur, ose edhe më keq, se marrëdhënia juaj do të bëhet toksike. Kjo nuk do të thotë se duhet të lini mënjanë indikacionet pozitive, pra shenjat që vërtetojnë se lidhja juaj i ka të gjitha bazat për t’u zhvilluar në diçka shumë më të bukur.
Sipas psikologes klinike dhe ekspertes së marrëdhënieve, Diane Strachowski, ka disa shenja, madje që nisin shumë herët në një lidhje, që tregojnë se ky raport do të marrë një kthesë pozitive.
Respektoni kufijtë
Shpesh kemi përmendur se marrëdhëniet e shëndetshme karakterizohen nga respektimi i kufijve të vendosur nga secili anëtar, si dhe respektimi i kohës private të njëri-tjetrit. Kur partneri juaj respekton “jo” për çdo temë, edhe nëse është diçka që ai dëshiron vërtet, atëherë kjo është një shenjë shumë e mirë. Në të njëjtën mënyrë, kur përveç kohës së bashku kaloni orë të caktuara të ditës duke bërë aktivitete që secili prej jush i pëlqen, lidhja ka më shumë gjasa të vazhdojë për një kohë të gjatë.
Ndjenja të qarta
Nëse jeni duke pyetur veten nëse partneri juaj ju pëlqen apo jo, atëherë duhet të rishikoni faktet e marrëdhënies që po filloni. Kur ka kaluar pak kohë dhe ende nuk janë të qarta ndjenjat e tjetrit për ju, atëherë ndoshta duhet të flisni seriozisht me “gjysmën tjetër” .
Frika nga e ardhmja…
… Nuk ka. Ai dëshiron të jetë me ju, shprehet dhe nuk ka frikë të flasë për momente të përbashkëta në të ardhmen e afërt. Këto biseda është mirë t’i bëni herë pas here që të dini se ku qëndroni dhe kësisjoj të jeni të dy në ‘të njëjtën faqe’.
Vëmendje në detaje
Mund të duket e parëndësishme, por kjo shenjë është shumë pozitive. Janë gjestet e vogla që bëjnë diferencën, thonë ekspertët. Pra, nëse partneri juaj e di se si e pini kafen tuaj ose ju kujtohet se cila është çokollata juaj e preferuar dhe e sjell atë pas shëtitjes në dyqan, konsiderojeni si një ogur të mirë.
Përpjekje e përbashkët
Nëse, ashtu si ju, edhe partneri juaj përpiqet për marrëdhënien, i njeh dhe vlerëson ndjenjat e njëri-tjetrit, atëherë “mes jush” patjetër do të zhvillohet pozitivisht. Në fillim gjithçka është e bukur. Gjatë rrugës (jo shumë kohë më vonë) do të bëhet e qartë nëse këto ndjenja të bukura do të vazhdojnë dhe do të çojnë në një marrëdhënie me themele të forta.