Të gjithë e dimë atë tingullin e bezdisshëm që na ndërpret gjumin gjatë natës: Qoftë ne që gërhisim, qoftë dikush që fle pranë nesh, rezultati janë net të shqetësuara, me një person që zgjon tjetrin për shkak të gërhitjes.
Mirëpo, eskpertë të gjumit kanë disa këshilla për ju që pritet t’ju vijnë shumë në ndihmë.
Ulni konsumin e alkoolit. Alkooli është i lidhur ngushtë me gërhitjen. Ai relakson muskujt në rrugët e sipërme të frymëmarrjes, duke i bërë ata të “kolapsohen” gjatë natës, duke nxitur kështu gërhitjen .
Flini në anën tuaj. Nëse flini me shpinë, e përkeqësoni gërhitjen. Prandaj, përpiquni të flini në anën tuaj, një pozicion që do të ndihmojë në uljen e gërhitjes.
Mbani një peshë të shëndetshme. Ulja e peshës së atyre që janë obezë mund të përmirësojë ndjeshëm gërhitjen, apo edhe ta eliminojë atë.
Përdorni një zgjerues të hundës. Kjo është një zgjidhje e thjeshtë që mund të ndihmojë në lehtësimin e frymëmarrjes gjatë natës.
Përmirësoni cilësinë e ajrit. Rinovimi i rregullt i ajrit në dhomë zvogëlon rrezikun e gërhitjes që shkaktohet nga ndotësit e ajrit, të cilët ka të ngjarë të shkaktojnë acarim të rrugëve të frymëmarrjes, mbingarkesë dhe – në fund të fundit – rritje të gërhitjes.