Një nga njerëzit më të kërkuar të Italisë dhe vazhdimisht i cilësuar si ndër trafikantët më të fuqishëm të drogës në botë, është ekstraduar të mërkurën në Romë nga Brazili pas 28 vjetësh fshehjeje. Rocco Morabito mbajti numrin dy në listën e mafiozëve më të rrezikshëm dhe më të kërkuar të Italisë.
Ai u dënua në mungesë dy dekada më herët për trafikim droge si pjesë e organizatave kriminale, që kontrollonin miliarda euro në biznesin e kokainës. Policia e Italisë e ka përshkruar si një nga trafikantët më të fuqishëm të botës. 55-vjeçari duhet të mbajë burgim 30 vjet pas dënimit më 2001.
Ai ishte arrestuar në maj të 2021-s në Brazil, në një bashkëpunim ndërkombëtar me hetuesit italianë e amerikanë. Morabito ishte arrestuar edhe në Uruguai më 2017, por kishte ikur nga burgu dy vjet më vonë. Policia italiane ka qenë në kërkim të tij që nga viti 1994. Sipas prokurorëve anti-mafia, Morabito ka luajtur rol të madh në trafikimin e kokainës në mes të Amerikës Latine dhe Milanos.
Pos kësaj, ai qe dënuar edhe për lidhje me mafinë. Kur u kap më 2017 në Uruguai, Morabito po jetonte në një vilë luksoze me një pasaportë false braziliane. Gjatë arrestimit, policia pati sekuestruar armë, 13 telefona, shumë para si dhe një veturë Mercedes.