Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka shpallur moskompetencën për kallëzimin e dytë të depozituar nga familjarët e viktimave të 21 janarit, duke ia kaluar Prokurorisë së Tiranës.
Kreu i SPAK, Altin Dumani i ka dërguar një letër familjes së Aleks Nikës, ku i argumenton arsyet pse dosja i përket për hetime Prokurorisë së Tiranës. Dumani sqaron se nuk mund të regjistrojë procedim penal për një çështje kur s’ka asnjë indicie se të përfshirë në vrasjen e Aleks Nikës janë Ndrea Prendi, Sali Berisha dhe Lulzim Basha.
Domani sqaron se për ngjarjen e 21 janarit ka një hetim të hapur në prokurorinë e Tiranës, e cila po heton të gjitha shkaqet që çuan në vrasjen e Aleks Nikës.
“Për këtë arsye, referuar nenit 75/a, 76 dhe 28 te K.Pr.Penale ju përcjellim për kompetencë lëndore materialin kallëzues me nr. K.137 prot., date 16.02.2023, me qëllim vlerësimi nga ana juaj. Nëse në vijim të verifikimeve apo hetimeve, do të konstatohet ekzistenca e ndonjë vepre penale apo subjekt në kompetencë hetimi sipas nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale, atëherë aktet e procedimit penal të dërgohen për kompetencë lëndore në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar dhe nenit 28 të Kodit të Procedurës Penale”, thuhet në përfundim të letrës së Altin Dumanit.
Ndërkaq, lidhur me audio-regjistrimin e ri, Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, një prej katër viktimave, ka deklaruar që atë mund t’ia vërë në dispozicion vetëm SPAK-ut.