Ashtu si kurse edhe në çdo zgjedhje, edhe në 14 maj, SHBA bën me dije se do të jetë aty për të vëzhguar që ky proces i rëndësishëm të jetë transparent, i lirë dhe i sigurt.
Kur kanë mbetur 2 ditë nga zgjedhjet, SHBA ka pasur një mesazh të qartë për autoritetet shqiptare dhe partitë politike.
Ato theksojnë se tashmë gjithçka mbetet në dorën e qytetarëve dhe SHBA do e respektojë vullnetin e tyre.
“Të dielën, qytetarët shqiptarë do të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike më themelore – të votojnë për udhëheqësit dhe të ardhmen e tyre. Ambasada e Shteteve të Bashkuara u bën thirrje të gjitha partive politike dhe institucioneve që të sigurojnë që veprimtaritë zgjedhore të kryhen në përputhje me ligjin shqiptar dhe me standardet ndërkombëtare. Autoritetet shqiptare duhet të sigurojnë që zgjedhjet të jenë transparente, të lira dhe të sigurta. Ashtu si në procese të mëparshme, përfaqësues ndërkombëtarë, përfshirë nga ambasada e SHBA do të udhëtojnë përreth vendit si vëzhgues në zgjedhje. Zgjedhjet janë themeli i demokracisë. Drejtuesit e partive patën detyrimin të propozojnë kandidatë të pastër, të denjë për të përfaqësuar popullin shqiptar dhe tani vendimi duhet të jetë në dorën e qytetarëve. Siç kemi bërë gjatë tre dhjetëvjeçarëve të shkuar, Shtetet e Bashkuara do të mbështesin vullnetin e popullit shqiptar për demokraci të forte”, thuhet në njoftim.