Sali Berisha, që prej kohës kur nisi një lëvizje të re brenda Partisë Demokratike të ashtuquajtur fillimisht “Foltore dhe më pas “Rithemelimi”, ka pretenduar dhe trumbetuar me të madhe se ai është shumica! E zgjedhjet e 14 majit e treguan më së miri këtë! Përtej rezultatit të dobët të fitores në vetëm 6 Bashki, duke humbur dhe Shkodrën, një bastion historikisht të djathtë, ashtu si kurse pritej, 14 maji shërbeu për të qartësuar situatën brenda Partisë Demokratike, se vula i përket një pakice që kandidatët e saj të cunguar në 14 bashki nuk kanë shkuar më shumë se 1000 vota. Kësisoj u kuptua fare mirë se si ky vendim i Enkelejd Alibeaj rezultoi të ishte aspak i drejtë, madje fatal në disa Bashki.
Përtej retorikës së akuzave të dala përpara 14 majit, tashmë shifrat flasin vetë e janë kokëfortë sa askush nuk mund t’i mohojë. Nëse opozita do ishte e bashkuar do të merrte të paktën dhe 3 bashki më shumë. Në Mallakastër, në Kuçovë dhe në Finiq. Mos dalja me një kandidat “ua dhuroi” socialistëve këto bashki.
Pse ky përfundim? Arsyeja është shumë e thjeshtë! Në këto bashki nëse do mblidhnin votat e kandidatëve të djathtë, atëherë rezultati do të përkthehej në një humbje për socialistët. E marrim me raste konkrete.
Në Kuçovë, Lefter Maliqi ishte shumë pranë fitores. Maliqi ka marrë 6222 vota e ndërsa Ilirjan Koxhaj i PD ka marrë 739. Pra nëse do ishin bashkë opozita do numëronte 6961 vota. Mirëpo në kushtet kur janë të ndarë, kandidati socialist ka fituar me 6904. Në Finiq, Romeo Çakuli ka marrë një fitore me 2221, e ndërsa 2 kandidatët demokrat Leonidha Papa dhe Leonidha Hristo së bashku kanë grumbulluar 3533 vota. Pra sërish një bashki e humbur nga përçarja. Në Mallakastër, Qerim Ismailaj mori 5749, e ndërsa Agron Kapllanaj dhe Resmi Shanaj të dy së bashku do të merrnin 6125.
Pra e thënë më thjeshtë, përçarja në Parti Demokratike ka kontribuuar në një fitore të thellë të socialistëve, e ndërsa Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë fituar 6 Bashkië, ndërsa Enkelejd Alibeaj forcë e tretë. PD më shumë ka dëmtuar veten se kundërshtarët dhe shpresojmë që kjo të jetë një mësim mjaft i mirë për 2 palët./B.K