Seanca e sotme parlamentare është shoqëruar me debate të forta që ka kulmuar me përjashtimin e Sali Berishës nga Kuvendi, pasi refuzoi që të lëshonte ‘Foltoren’. Opozita, kësaj herë u bashkua për një qëllim të vetëm. Në bllok ata kanë kërkuar llogari kryeministrit Edi Rama, për lidhjen e tij me ish zyrtarin e lartë të FBI, Charles McGonigal.
“I kapur në flagrancë në SHBA me dokumente me fakte të bëra publike, Rama ka detyrim t’i përgjigjet shqiptarëve, ne dhe publikut. Ka kaq kohë që ka hedhur baltë për lobimet ruse, por paska qenë ky me dollarë amerikanë.
Synimi i tij është asgjësimi i PD-së, nuk është çështje që e kanë bërë miqtë apo shokët e ka bërë vetë ai. Ai fshihet. SPAK duhet të flasë, drejtësia amerikane ka folur, të flasë edhe SPAK. Njëlloj si në Amerikë, Rama duhet t’i nënshtrohet drejtësisë.”- tha Alibeaj.
“Afera Rama-McGonigal është një ndër aferat kriminale më të pista në tërë historinë e pas luftës së dytë botërore. Një kryeministër korrupton për të dëmtuar opozitën. Një akt i pashembullt, një akt që mund ta bëjë vetëm një diktator. Dhe ju e patë sesi ikën të turpëruar, të tmerruar. Ju e patë sesi, Rama, me dy konfidentë të tij, luante me fatet e demokracisë së vendit. Ata reagojnë në kope, sikur s’kanë vend, familje, interesa shoqërore por të xhepit të tyre. Sekti i rilindjes është armiku kryesor, i demokracisë, qenies dhe identitetit të shqiptarëve. S’ka interes më të madh se zbardhjen e kësaj afere. Një aventurier, një agjent influent rus, merr përsipër të ekzekutojë çdo skenar për qenë në pushtet. Ndaj ne sot do rrimë në parlament, edhe ata ikën si hajdut. Uroj ta kenë thirrur atje ku ka vendin, se nga kjo aferë Rama s’ka shpëtim.”- tha Berisha.
Mirëpo, akuza të tilla nga mazhoranca nuk janë gjë tjetër veçse tentativa për të humbur vëmendjen nga 21 janari, në një kohë kur socialistët kanë dorëzuar 2 kallëzime në SPAK ku akuzon Berishën, ish ministrin Lulzim Basha dhe ish kreun e gardës, Andrea Prendi për vrasje.
“Sot djali është paraqitur në SPAK për gërdecin, gjithë kjo dhunë e ushtruar në kuvend është e lidhur, derivat i lidhur. Pra, e mbani mend që në janar të vitit 2019. Kur Berisha ishte njohur me faktin se në SHBA kishte nis procedurën e shpalljes non grata dhe viza iu ishte hequr e njëjta situatë ndodhi në kuvend për të mos më shkuar me keq për tu tërhequr nga kuvendi, vlerësoj që Nikolla ka bërë vendimmarrjen e duhur në funksion të zhvillimit normal. Jemi gjendur para disa shkeljeve të rënda të rregullores së kuvendit, nga deputeti Berisha. Do duhet që sekretariati të mblidhet dhe të shqyrtojë kërkesën që do të depozitojmë për përjashtimin me më shumë ditë të të gjithë deputetëve që pengojnë zhvillimin e seancës. Seanca bllokohet se ata duhan të heqin vëmendjen nga provat e reja të 21 janarit”, tha Balla.
Seanca ka zgjatur për rreth 1 orë, ku kryetarja e Kuvendit kaloi për votim të gjitha çështjet e rendit të ditës dhe vendosi ta mbyllë seancën ndonëse Foltorja qëndronte e bllokuar nga Berisha me mbështetësit e tij. Pasi salla e Kuvendit u boshatis, Sali Berisha me mbështetësit e tij nuk u larguan dhe vijuan të flisnin teksa ishin live në rrjete sociale e më pas u larguan duke vijuar akuzat në daljet për mediat.