Ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës së Strasburgut, pasi SPAK kërkoi ashpërsimin e masës së sigurisë në kuadër të hetimeve për ish-kompleksin Partizani.
Nga selia blu, Berisha tha se do të vijojë betejën me drejtësinë, dujke pretenduar se gjykatat shqiptare do ta hedhin poshtë kërkesën e tij, pasi i binden Ramës.
“Unë do të ndjek çdo shkallë sepse unë nuk pranoj që ne jemi në shoqëri parashtetërore. Jemi në diktaturë, por unë do ndjek të gjitha etapat. Tani imagjinoni ju kur të shkoj, ta supozoj, nëpër këto gjykatat shqiptare, se çfarë kënaqësie do kenë ata të hedhin poshtë kërkesën time për të treguar vasalitetin ndaj Edi Ramës. Por kjo nuk më impresionon mua.
Strasburgu është tjetër, patjetër që unë do i drejtohem. Është gjykata gardian i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut”, deklaroi Berisha.
Seanca në GJKKO u shty për nesër në orën 11:00, teksa avokatët e Berishës kërkuan përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka.