Prej më shumë se dy javësh, arkivit ‘të patentave ndërkombëtare’ të emisioneve në Shqipëri i është shtuar edhe një emision dashurie. ‘Love Island’ i cili transmetohet në njërin nga televizionet kombëtare në vend, duket se nuk po jep rezultatet e pritura, dhe këtu nuk flasim për pjesën e realizimit të patentës ndërkombëtare dhe sesa i mirëorganizuar është si emision. Strofulla e dashurisë ‘po dështon’ me sukses për shkak të mentalitetit të mbyllur dhe të varfër të shqiptarëve.
Ajo që bie në sy në këtë edicion të parë të këtij emisioni në Shqipëri, është se 90% e konkurrentëve janë të rinj që kanë jetuar jashtë, kryesisht në Mbretërinë e Bashkuar, në Shtetet e Bashkuara të Amerikë dhe më pas shumë pak nga Europa. Pse ndodh kjo? Mos vallë të rinjtë shqiptarë nuk duan dhe nuk dinë të dashurojnë, saqë marrin të rinj me frymë ‘perëndimore’?
E parë në një këndvështrim më të gjerë, shoqëria jonë e rritur në frymë patriarkale, ku figura e burrit është në qendër dhe gratë, të rinjtë dhe fëmijët janë dytësorë, nuk mund t’ja ‘lejojnë vetes’ që vajza ose djali i tij të shkojë në një emision dashurie ku rregulli numër një është që çiftet që krijohen dhe konsolidohen duhet të kryejnë marrëdhënie seksuale së bashku, nën gjykimin dhe paragjykimin e një populli fanatik. Një rast i cili demonstron këtë fakt, është përjashtimi i një konkurrenteje nga votat e publikut, vetëm e vetëm se ajo foli hapur se i pëlqente seksi.
Por, përtej parimit bazë me të cilin jemi rritur, a nuk duhet që dhe shqiptarët pak nga pak të fillojnë të jenë më mendje hapur? Mos mendojnë më për komshiun, tezen, kushëririn e dytë të djalit të xhaxhait por thjesht t’i lënë fëmijët të eksperimentojnë, të njohin veten në të gjitha dimensionet? Prindërit shqiptarë tashmë duhet të kuptojnë se fëmijët e tyre praktikisht po bëjnë çfarë duan dhe ata nuk e kuptojnë ose nuk janë në dijeni, çfarë ndryshimi ka nëse kjo gjë ndodh në sytë e të gjithëve? Dhe aq më shumë, kur ndodh në sytë e të gjithëve ama fëmija jot është i lumtur për atë eksperiencë që po ndërmerr. Fundja a nuk luftojnë të gjithë prindërit për lumturinë e krijesave të tyre të vogla ose të mëdha qofshin? Lumturi mund të jetë një kukull, një shtëpi, një udhëtim, një darkë, një makinë…madje lumturi është edhe të dashurohesh dhe të të dashurojnë.
Gjithmonë kemi marrë shembull nga europianët dhe perëndimorët në lidhje me rregullat e shtetit, disiplinën dhe mënyrën si gjërat duhen bërë, por nuk mund t’i lejojmë perëndimorëve të na mësojnë edhe si dashurohet dhe si bëhet një vajzë ose një djalë për vete.
Me siguri që ne kemi më shumë se çfarë t’ju tregojmë perëndimorëve. Ata nuk e dinë se sa e sa ditë duhet t’i shkosh një vajzë nga pas që ajo të të flasë qoftë edhe një herë dhe se sa e sa punë duhet të fitosh besimin e një djali shqiptar. Sepse ne, ndryshe nga ata nuk dimë të jemi sipërfaqësorë. Shqiptarët e dinë më mirë nga të gjithë se çfarë është dashuria, thjesht duhet të kemi pak kurajë për ta treguar atë…/ Klara Murra