Përfaqësues të KFOR-it i janë përgjigjur Serbisë pas kërkesës së saj për kthim të ushtrisë në territorin e Kosovës, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes e Serbisë, që nuk ka dhënë detaje për përmbajtjen e përgjigjes nga KFOR-i.
Sipas njoftimit, përfaqësues të KFOR-it kanë dorëzuar përgjigjen rreth orës 19 dje (e premte) në pikëkalimin kufitar të Merdarit. Ministria e Mbrojtjes e Serbisë ka thënë se letrën ia ka dorëzuar presidentit Aleksandar Vuçiç.
KFOR-i ka konfirmuar për agjencitë kosovare se i ka kthyer përgjigje Serbisë, megjithatë zëdhënësi ka refuzuar të japë detaje për përmbajtjen.
“Si KFOR, mundemi ta konfirmojmë që përgjigja i është dërguar ushtrisë serbe”, ka thënë një zëdhënës i KFOR-it duke shtuar se për përmbajtjen duhet të pritet ende.
Më 16 dhjetor, Serbia pati dorëzuar kërkesën te KFOR-i për kthim të 1000 ushtarëve të vet në Kosovë.
Serbia pati thënë se po kërkon kthimin e ushtrisë për “mbrojtje të serbëve të Kosovës”, në kohën e tensioneve pas vënies së barrikadave në veri të Kosovës.
Ndërkohë pak orë më parë u njoftua se dy persona, një prej të cilëve i mitur kanë mbetur të plagosur në Drajkovc të Shtërpcës pasi u qëlluan me armë nga një makinë në lëvizje.
Sipas Policisë së Kosovës, dy serbët kanë qenë duke ecur në zonën e Shtërpcës teksa nga një makinë që po qarkullonte në drejtim të Ferizajt është qëlluar me armë zjarri.
Motivet e ngjarjes janë ende të paqarta, ndërkohë që autori u largua me shpejtësi nga vendngjarja.
Aktualisht rruga që çon për në Shtërpcë është e bllokuar nga të dy drejtimet e lëvizjes, ndërkohë që autori u arrestua pas disa orësh, pas plagosjes së dy të rinjëve serbë nga pjesëtari i FSK në Kosovë.