Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, ka folur për marrëveshjen me Shqipërinë për të sjellë emigrantët e paligjshëm në dy qendra që do të ngrihen në Gjader dhe Shëngjin.
Teksa iu referua paktit mes dy vendeve, Tajani dha një përgjigje për të gjithë ata që e kanë kritikuar dhe e kanë krahasuar me paktin britanik për të dërguar emigrantët e paligjshëm në Ruanda, plan që u rrëzua nga gjykata britanike.
Tajani tha se emigrantët do të trajtohen sipas protokollit të standarteve italiane dhe evropiane.
“Emigrantët do të trajtohen sipas standardeve italiane dhe evropiane. Ky Protokoll nuk është i krahasueshëm me marrëveshjen midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Ruandës”, tha Tajani.
Italia do të ndërtojë dy kampe pritjeje dhe paraburgimi në Shqipëri, të cilat do të strehojnë një maksimum prej 3,000 migrantësh në çdo kohë, duke shënuar marrëveshjen e parë ndonjëherë që përfshin një vend jashtë BE-së që pranon emigrantë në emër të një vendi anëtar.
Tajani tha se administrata do të paraqiste një projekt-ligj për të ratifikuar zyrtarisht paktin me Shqipërinë.