Ish drejtori i kabinetit në presidencë, Edmond Panariti ka kërkuar një marrëveshje të ndershme, një kompromis fitimprurës siç thotë ai për Shqipërinë dhe Greqinë, në lidhje me 250 miliard hidrokarbure të zbuluara nën detin Jon.
Për zbulimin e një pasurie të tillë, Panariti i referohet “një studimi gjeofizik të kryer para një viti dhe të shpallur nga autoriteti helen administrues i burimeve të hidrokarbureve”.
Mesazhi i plotë i Panaritit
Të drejtat sovrane të Shqipërisë, janë të shenjta!
Është një lajm i mirë për Shqipërinë dhe për Greqinë zbulimi i burimeve të jashtëzakonshme të gazit dhe hidrokarbureve në Jonin Verior. Sipas një studimi gjeofizik të kryer para një viti dhe të shpallur nga autoriteti helen administrues i burimeve të hidrokarbureve, rezulton se rezervat e vlerësuara të hidrokarbureve në Jon të jenë mbi 250 miliard euro.
Një mundësi e shkëlqyer për të dy vendet tona për të shfrytëzuar këtë pasuri kolosale në dobi të ekonomive dhe popujve tanë.
Në dialog, bashkëpunim dhe negocim nëpërmjet grupeve negociatore përkatës të mandatuar. Në referencë dhe respekt të vendimit të Gjykatës tonë Kushtetuese për marrëveshjen detare. Në respekt dhe referencë të së drejtës ndërkombëtare dhe së drejtës detare.
Por padyshim dhe mbi të gjitha në frymën e kompromisit dhe të konsensusit sidomos për zonat e eksluzivitetit ekonomik të cilat shkojnë përtej vijave ndarëse sepse hyjnë dhe dalin nën to.
Kjo mund dhe duhet të jetë një marrëveshje fitimprurëse për të dy vendet tona, e qëndrueshme dhe në respekt të plotë të sovranitetit dhe të drejtës sovrane të Shqipërisë dhe Greqisë.