7 Dhjetor 1941- Japonezët sulmojnë bazën amerkane Pearl Harbor
Sulmi mbi Pearl Harbor në ishujt Hauai, ishte një goditje e papritur nga ana e Japonisë, e cila çoi në hyrjen e Shteteve të Bashkuara në Luftën e Dytë Botërore. Tokio e cilësonte sulmin një veprim parandalues, për të mbajtur flotën amerikanë të Paqësorit larg aksioneve të saj ushtarake në Azinë Juglindore
Sulmi filloi në 7:48 të mëngjesit, sipas orës lokale. Baza ushtarake sulmua 2 herë nga 353 avionë japonezë, të nisur nga 6 aeroplanmbajtëse. Të teta luftanijet e mëdha të marinës amerikane u dëmtuan, ndërsa 4 prej tyre u fundosën. Ndërkohë japonezët mbytën ose dëmtuan 3 kryqëzorë, 3 destrojerë, një dragaminë, 188 avionë, ndërsa gjetën vdekjen 2.403 amerikanë, dhe u plagosën dhe 1.178 të tjerë.
Ndërkohë pjesë të rëndësishme të bazës mbetën të paprekura si stacioni elektrik, kantieri i anijeve, depozitat e karburanteve dhe silurëve, si dhe baza e ankorimit të nëndetëseve. Humbjet e japonezëve ishin të lehta:29 avionë, 5 nëndetëse të vogla dhe 64 ushtarë të vrarë. U kap rob marinari japonez, Kazuo Sakamaki.
Sulmi i befasishëm tronditi popullin amerikan, dhe çoi drejtpërsëdrejti në përfshirjen e SHBA-së në Luftën e Dytë Botërore, si në Paqësor ashtu edhe në Evropë. Të nesërmen, më 8 dhjetor, Shtetet e Bashkuara i shpallën luftë Japonisë, dhe disa ditë më vonë, më 11 dhjetor, Gjermania dhe Italia i shpallën luftë SHBA-së. Uashingtoni reagoi me të njëjtën shpallje lufte. Për shkak se ndodhi pa asnjë deklaratë lufte dhe pa një paralajmërim të qartë, sulmi ndaj Pearl Harbor u gjykua më vonë në Gjyqet e Tokios si një krim lufte.
7 Dhjetor 1928 – Lind filozofi dhe gjuhëtari i njohur amerikan Noam Chomsky
I përshkruar shpesh si ”babai i linguistikës moderne”, Noam Chomsky është gjithashtu një figurë e rëndësishme në filozofinë analitike, dhe një nga themeluesit e fushës së shkencës njohëse. Ai është autor i mbi 100 librave mbi tema të tilla si gjuhësia, lufta, politika dhe mass-media. Në aspektin ideologjik, ai cilësohet një anarko-sindikalist dhe socialist libertarian.
Një kundërshtar i sinqertë i përfshirjes së SHBA-së në Luftën e Vietnamit, të cilin e shihte si një akt të imperializmit amerikan, Chomsky tërhoqi vëmendjen e publikut në vitin 1967 me esenë e tij kundër luftës, “Përgjegjësia e intelektualëve”. I lidhur me të Majtën e Re, ai u arrestua disa herë për aktivizmin e tij, dhe u vendos në listën e Armiqve Publikë të presidentit amerikan, Richard Nixon.
Chomsky ka ndikuar mbi një sërë fushash akademike. Ai njihet gjerësisht si një ndryshues i paradigmës, që ndihmoi në nxitjen e një revolucioni të madh në shkencat humane, duke kontribuar në zhvillimin e një kuadri të ri konjitivist për studimin e gjuhës dhe mendjes.
Përveç kërkimit të vazhdueshëm akademik, ai mbetet kritiku kryesor i politikës së jashtme të SHBA, neoliberalizmit dhe kapitalizmi shtetëror bashkëkohor, konfliktit izraelito-palestinez dhe mediave kryesore të lajmeve. Idetë e tij janë dëshmuar shumë të rëndësishme në gjirin e lëvizjeve anti-kapitaliste dhe anti-imperialiste, por kanë shkaktuar edhe kritika të forta, me disa që e akuzojnë Chomsky-in për anti-amerikanizëm.
7 Dhjetor 1988- Dy tërmete të forta shkatërrojnë Armeninë
Dy lëkundje të forta tërmeti, pak minuta nga njëra-tjetra, me magnitudë 6.9 dhe 5.8 ballë të shkallës Rihter godasin Armeninë, duke vrarë mbi 60.000 njerëz, dhe shkatërruar gati 500 mijë ndërtesa. Dridhjet e tokës ishin aq të forta, sa që u ndjenë në vendet fqinje të Gjeorgjisë, Turqisë dhe Iranit. Lëkundja e parë sizmike ndodhi në orën 11:41 pak kilometra larg Spitak, një qyteti me rreth 30.000 mijë banorë. Epiqendra ishte shumë pranë sipërfaqes, çka mendohet se ishte edhe arsyeja e shkatërrimeve të mëdha.
Vetëm 4 minuta më vonë vonë, një lëkundje e dytë rrafshoi ndërtesat që mezi kishin arritur të qëndronin më këmbë gjatë tërmetit të parë. Ajo që e rëndoi bilancin e viktimave ishte vonesa e zyrtarëve (të kontrolluar asokohe nga qeveria sovjetike), për t’i dhënë ekipeve të emergjencës lejen e fillimit të operacioneve të kërkimit-shpëtimit.
Në fakt, 10 ditë pas tërmeteve, të gjithë të huajt u urdhëruan të largoheshin nga qyteti.Vendasit punuan më shumë se një javë për të gjetur nën rënoja të mbijetuarit, dhe i fundit prej tyre u nxorr i gjallë më 15 dhjetor.
Shumë ekspertë, besojnë se numri i të viktimave mund të ketë tejkaluar vlerësimin fillestar prej 60.000 të vdekurish, pjesërisht për shkak se mijëra njerëz të tjerë mbetën të plagosur rëndë gjatë tërmetit, dhe ndërruan jetën nëpër spitale, për shkak se mjekët nuk mund të përballonin atë fluks aq të madh pacientësh.
7 Dhjetor 1982 – Në burgun Huntsville në Teksas të SHBA-së, ndodh ekzekutimi i parë me vdekje, me anë të një injeksioni vdekjeprurës. Charles Brooks Jr., i dënuar për vrasjen e një mekaniku automjetesdh, iu injektua një injeksion intravenoz i sodium pentatholit, një barbiturat që njihet si një “serum i vërtetë” kur merret në doza më të vogla.
Kjo metodë, u cilësua si më humane në krahasim me teknikat standarte të ekzekutimit më vdekje në dhomat e gazit, karriget elektrike apo varjes në litar. Gjatë dekadës së pasoi, 32 shtete në SHBA, qeveria federale dhe ushtria, e adoptuan metodën vdekjeprurëse të injeksionit.
7 Dhjetor 43 P.ES – Vritet dijetari dhe oratori i famshëm romak Mark Tulio Ciceroni.
7 Dhjetor 1703 – Një stuhi e madhe përfshin pjesën jugore të Britanisë së Madhe. Nga përmbytjet dhe banesat e shkatërruara, gjejnë vdekjen mbi 9.000 njerëz.
7 Dhjetor 1946 – Një zjarr në Hotelin Winecoff në Atlanta në SHBA, i merr jetën 119 njerëzve. Ai konsiderohet edhe sot zjarri më vdekjeprurës, që ka rënë ndonjëherë në hotelet amerikane.
7 Dhjetor 1965 – Papa Pali VI dhe Patriarku Atenagora I, anulojnë njëkohësisht urdhrat për ndërprerjen e komunikimit zyrtar mes dy kishave, Ortodokse dhe Katolike, të cilat kishin qenë në fuqi që nga viti 1054, kur dhe ndodhi ndarja e madhe në fenë e krishterë.
7 Dhjetor 1983 – Një avion Boeing 727 i linjës “Iberia Airlines”, përplaset me avionin “Aviaco DC-9” si pasojë e një mjergulle të dendur, në momentin kur të dy po uleshin në aeroportin e Barajas në Madrid. Nga aksidenti vdesin 93 persona.
7 Dhjetor 1995 – Sonda Galileo arrin në planetin e Jupiterit, pas më shumë se 6 vjetësh pasi u lëshua nga anija hapsinore “Atlantis”, gjatë misionit STS-34.