Partia Socialiste ka siguruar fitoren në 52 bashki të vendit, ndërsa është në avantazh edhe në dy bashkitë e fundit që kanë mbetur në Tiranë dhe Malësinë e Madhe. Ndërsa koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka fituar 7 bashki. Bëhet fjalë për Kavajën, Pukën, Hasin, Himarën, Memaliajn, Mirditën e Fushë-Arrëzin. Në Finiq fituese është partia MEGA me kandidatin Romeo Çakuli.
Ajo që bie në sy në këto zgjedhje është fitorja e PS-së në Shkodër për herë të parë pas 32 vitesh. Opozita ka mundur të marrë Kavajën, ku PS pretendonte fitore, ndërsa Himara u fitua nga kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Fredi Beleri, i cili ndodhet në qelitë e paraburgimit, me akuzën e blerjes së votave.
Ndërkaq në Tiranë ka mbetur pa numëruar edhe qendra e fundit e votimit, ndërsa Veliaj kryeson ndaj Belind Këlliçit me një rezultat prej më shumë se 52 mijë vota.
Ndërsa Partia Demokratike zyrtare që është forcë e tretë në 14 Bashkitë ku ka pasur kandidat nuk numëron asnjë fitore.
Prej mbrëmjes së djeshme ka nisur numërimi edhe për këshillat bashkiakë. Në tri bashkitë e para që u aplikua votimi elektronik në Elbasan, Vorë e Kamëz Partia Socialiste mori shumicën e mandateve në këshilla.