Ende nën petkun e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi pas mbledhjes së Kryesisë se do ta çojë çështjen e vulës së PD-së në gjykata ndërkombëtare.
Një ditë më parë Gjykata e Apelit pranoi ankimin e grupimit të Enkelejd Alibeajt duke i rikthyer legjitimitetin e partisë.
Fillimisht, përfaqësuesit ligjorë të Berishës do të bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë dhe më pas nëse nuk jepet e drejta do t’i drejtohen gjykatave ndërkombëtare.
“Mendimi në tërësi i juristëve është që ky akt dhe ky vendim të dërgohet për rekurs në Gjykatën e Lartë. E them unë që njerëzit mund të habiten s’i mund ta dërgojmë ne te Sadushi. Por ne, do kërkojmë përjashtimin e Sadushit, nuk presim asgjë tjetër aty por ne do të ndjekim rrugën në gjykatën ndërkombëtare. Në asnjë vend në botë nuk ka ndodhur që të shpallet palë ajo që nuk është palë”, tha Berisha.