Ngjarja që ditën e djeshme u raportua si aksidentale, rezulton të jetë një krim brenda familjes. Policia ka bërë me dije se 56-vjeçari Durim Gllucaj i cili humbi jetën dje në Gjorm të Selenicës prej shpërthimit të një lënde plasëse, rezulton se është vrarë nga djali i tij, Mato Gllucaj 23 vjeç.
Mësohet se i riu e ka vënë lëndën plasëse në sobën me gaz në oborrin e banesës së tyre, duke i shkaktuar kështu vdekjen babait të tij. Dyshohet se shkak për krimin e rëndë është bërë dhuna e vazhdueshme e të ndjerit ndaj djalit. Gjithashtu policia i ka sekuestruar një arsenal të rëndë armësh. Atij i janë gjetur: 25 granata dore difensive, 37 kallëpe me lëndë plasëse tritol, me peshë 400 gramë secila, 43 kapsolla detonatore, 5 ndezësa granatash, 1 armë zjarri pushkë dhe 310 fishekë luftarakë.