Korça u trondit mbrëmjen e djeshme kur një 60-vjeçar vrau një 40 vjeçar dhe më pas qëlloi dhe veten. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 20:25 pranë një hoteli në lagjen nr. 18, në rrugën “Koço Golniku” të Korçës.
Policia ka raportuar se 61 vjeçari Ilio Lluka ka qëlluar 40 vjeçarin Emiljano Pine dhe më pas me të njëjtën armë qëlloi dhe veten.
Dyshohet se pas këtij krimi fshihet një konflikt familjar për një banesë, në të cilën bashkëjetonin prindërit e të dy viktimave.
Babai i Llukës kishte vendosur t’i linte në trashëgimi shtëpinë djalit të bashkëjetesues, Emiliano Pines. Kjo duket se nuk është pranuar nga i biri i cili ka vendosur të “zgjidhë” gjithçka me plumba ndaj Pines dhe vetes së tij.
Si ndodhi vrasja?
60 vjeçari ka shkuar në lokalin ku Emiljano po pinte kafe, pasi i ka kërkuar të dalë jashtë e ka qëlluar 3 herë duke e lënë të plagosur rëndë, më pas me një plumb i ka dhënë fund dhe jetës së vet.
Emiljano Pine, i cili njihej dhe me identitetin Jorgo Prifti humbi jetën gjatë transportimit për në spitalin e Korçës.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës armën e krimit e 4 gëzhoja. Gjithashtu janë administruar dhe po këqyren pamjet filmike të marra nga kamerat e sigurisë të zonës.