Vrasja e dy shqiptarëve Kreshnik Cercizaj dhe Armando Organja në një vend të populluar në Athinë në më pak se 5 sekonda, për hetuesit grekë është një mesazh që kanë dashur të japin porositësit e krimit. Mediat greke lidhin vrasjen e dyfishtë me vrasjen që ndodhi të premten në Tiranë ku u ekzekutua Edmond Papa, 49 vjeç. Mediat greke bëjnë një lidhje mes 3 vrasjeve, duke raportuar se pak ditë më parë ka humbur nga destinacioni final një ngarkesë me 700 kg kanabis për të cilën ishte përgjegjës biznesmeni shqiptar. Hetimet po vijojnë në pistën kryesore që është prishja e pazareve të drogës por nuk përjashtohen as mosmarrëveshjet për klubet e natës.
Vrasja e ndodhur nga një person i maskuar me kapuç dhe me maskë kirurgjikale besohet se është kryer nga një qitës profesionist me pagesë. Nga analiza e materialit video nga mediat greke rezulton se i armatosuri ka pasur eksperiencë me armë, gjakftohtësi të plotë, ndërsa policia beson se nuk ishte hera e parë që realizonte një plan vrasjeje.