Është arrestuar në Stamboll “koka” e kartelit të drogës ‘Kompanio Bello’, Dritan Rexhepi. Lajmi u konfirmua nga ministri i Punëve të Brendshme i Turqisë, Ali Yerlikaya, i cili bëri të ditur se në bashkëpunim me autoritete italiane, është vënë në pranga Rexhepi. Ky i fundit ishte në kërkim ndërkombëtar dhe transportonte drogë nga Amerika e Jugut në Evropë.
Dritan Rexhepi është në kërkim nga autoritetet italiane dhe shqiptare për vepra të ndryshme penale, nga vrasje, trafik droge dhe rrëmbime.
Në Shqipëri Dritan Rexhepi akuzohet si porositësi i pengmarrjes se Jan Prengës dhe dyshohet se vrasja ka ndodhur për prishjen e pazareve të drogës.
Ministri turk i Punëve të Brendshme Ali Yerlikaya tha se është konstatuar se Rexhepi ka hyrë në Turqi nga aeroporti i Stambollit me pasaportë kolumbiane të regjistruar në emrin e Benjamin Omar Perez Garcia.
Në një postim ministri Yerlikaya shkroi:
“Lufta jonë kundër tregtarëve të drogës dhe organizatave të krimit të organizuar do të vazhdojë të rritet me vendosmëri”.