Rikthehen reshjet e borës në vend. Këtë mëngjes reshje ka pasur në juglindje të vendit ndërsa janë ulur edhe temperaturat. Sipas autoriteteve lokale akset nacionale janë të qarkullueshme ndërsa kontraktorët bëjnë herë pas here kriposjen në rrugët ku trashësia e borës është më e madhe.
Reshje ka pasur edhe në verilindje të vendit. Rrugët e zonave të thella qarkullohen me vështirësi dhe me zinxhirë për shkak të borës. Ndërkohë që vijon të mbetet e njëjtë situata nga përmbytjet në Shkodër. Autoritetet njoftojnë për mbi 1 mijë hektarë tokë nën ujë kryesisht në njësinë administrative Ana e Malit.
Ka vështirësi në qarkullim në rrugën e fshatit Obot për shkak të prezencës së ujit. Sipërfaqja e përmbytur në këtë zonë është tokë bujqësore.