Tre të vrarë dhe tre të plagosur është bilanci i një sulmi me armë zjarri në një qendër tregtare në Kopenhagen të Danimarkës. Një 22-vjeçar është arrestuar dhe akuzuar për sulmin që shkaktoi panik mes blerësve në qendrën tregtare Field në jug të Kopenhagenit.
Shefi i policisë Soeren Thomassen tha se motivi ishte i paqartë dhe ai nuk mund të përjashtonte një “akt terrorizmi”. Kryeministrja Mette Frederiksen tha se Danimarka kishte pësuar një sulm mizor.
Duke dërguar ngushëllime për ata që kishin humbur të dashurit, ajo tha se dëshironte të inkurajonte danezët të qëndrojnë së bashku dhe të mbështesin njëri-tjetrin në këtë moment të vështirë.
“Danimarka u godit nga një sulm mizor natën e së dielës,” tha ajo. “Disa u vranë. Edhe disa u plagosen. Kryeqyteti ynë i bukur dhe zakonisht kaq i sigurt u ndryshua në një sekondë,” shtoi ajo.