Imagjino të kesh një shef që të “tërheq veshin” nëse nuk shkon në orën 8:00 në punë. Imagjino që kur të dalësh nga shtëpia në mëngjes, të llogarisësh edhe vonesën, por ti ndodhesh akoma me makinë/ autobus akoma në orën 7:56. Epo nuk është e nevojshme ta imagjinoni pasi ky është makthi që përballen shumica e njerëzve sidomos në këto kohë që festat e fundvitit janë pas dere.
Një nga gjërat më stresuese në qytet është trafiku, sidomos kur vargu i makinave që s’kanë të mbaruar, bllokon rrugët, ndot ajrin dhe të merr frymën nga ankthi që të krijohet. Mjerisht, nuk ka ndonjë shenjë se ky problem i përditshëm që përballen miliona qytetarë po shkon drejt zgjidhjes.
Prej vitesh të jetosh dhe të qarkullosh në Tiranë është kthyer në një problem galopant, në veçanti për shoferët dhe përdoruesit e transportit publik.
Tirana, kryeqendra e Shqipërisë haset dëshpërimisht me njerëz që turren çdo ditë për të shkuar në punë, për të mbaruar angazhimet e tyre apo edhe për të shkuar në shkollë.
Duke qenë se konsiderohet akoma një qytet në rritje dhe në zhvillim, duhet të përballet me qindra makina që qarkullojnë në rrugë aspak të mirëmbajtura. Densiteti i popullsisë nuk ka të ndalur dhe një lum projektesh për zhvillimin urban ka zënë rrugët, trotuarët dhe hapësirat publike.
Sikur të mos mjaftonte vetëm kaq, sistemi i shkatërruar i transportit publik kanë bërë të nevojshme lëvizjet me makinë në pjesën më të madhe të kohës. Madje mungesa e korsive të biçikletave të cilat i gjen vetëm në disa rrugë kryesore të Tiranës, e bën tërësisht të pasigurtë garantimin e jetës.
Ajo çfarë duket haptas nga bashkia dhe qeveria është se fondet apo tenderat prevalojnë para interesit qytetar. Partneritetet e errëta publike-private kanë sjellë vetëm akuza të shumta për korrupsion, ku dominon mungesa e transparencës dhe konsultimit me publikun.
Lehtësirat e propaganduara nga bashkia, kanë mbetur vetëm në televizor dhe në rrjetet sociale pasi realiteti është gjë tjetër. Si pa u vënë re, Tirana është kthyer në një zonë masive ndërtimi në një mënyrë të pakoordinuar. Meqë njerëzit s’bëjnë dot pa makinat, Tirana duhet të përballojnë numrin e automjeteve që shtohen dhe po dështon. Këtu duket sikur tani ka më shumë makina se njerëz.
Edhe mungesa e vendeve të mjaftueshme për parkim çon në bllokimin e trafikut. Çdo çast, një numër i konsiderueshëm makinash qarkullojnë në rrugët e qyteteve thjesht për të gjetur një vend parkimi.
E trishë të kuptosh se ndotja e ajrit si pasojë e trafikut, kryesisht në qytete, shkakton vdekjen e rreth 400.000 vetave çdo vit. Madje sipas një raporti, ndotja e ajrit në Milano të Italisë, është kaq e madhe, saqë të rrish një ditë në ajrin e këtij qyteti, është njësoj si të pish 15 cigare.
Në koston e bllokimit të trafikut duhen llogaritur edhe orët e çuara dëm dhe stresi i shoferëve. Pasi një pjesë të jetës na shkon të ulur në pritje, ose duke u shtyrë me njerëz të tjerë në autobuz. Dëmi emocional edhe pse është e vështirë të përcaktohet, ekziston në një masë të konsiderueshme. Dhe lind pyetja që ende nuk është gjetur përgjigje: Çfarë duhet bërë për të përimësuar gjendjen?