Evropa duhet të forcojë praninë e saj në Ballkanin Perëndimor dhe vendet në fqinjësi të Rusisë për të kufizuar ndikimin e saj dhe ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s po dërgojnë mesazhe për të mbështetur pavarësinë e tyre në ditën e fundit të takimit në Bukuresht.
Krerët e misioneve diplomatike të anëtarëve të NATO-s i premtuan të martën më shumë ndihmë Ukrainës në armë dhe pajisje për të rindërtuar infrastrukturën që Rusia po shkatërron me bombardime duke përdorur “dimrin si armë” dhe sulme të synuara ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës për të privuar popullsinë nga ngrohja, rryma elektrike dhe uji, transmeton Hina.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se aleanca prej 30 anëtarësh do të zhvillojë bisedime të mërkurën me Moldavinë, Gjeorgjinë dhe Bosnje-Hercegovinën, vende që përballen me “presion nga Rusia”.
“Ne do të ndërmarrim hapa të mëtejshëm për t’i ndihmuar ata të mbrojnë pavarësinë e tyre, të forcojnë aftësitë e tyre mbrojtëse,” tha ai.
Është në interesin e NATO-s të kujdeset për sigurinë e tyre, tha Stoltenberg.
Udhëheqësit evropianë janë të shqetësuar se vendet e Evropës Jugore dhe Lindore mund të humbasin durimin në dhomën e pritjes për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO, gjë që lë hapësirë për forcimin e ndikimit rus dhe kinez dhe për destabilitet.
Europa duhet të forcojë praninë e saj në Ballkanin Perëndimor në mënyrë që të kufizojë ndikimin e Rusisë, tha ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani.
“Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm për paqen. Ne duhet të ndalojmë rusët në Ballkanin Perëndimor, na duhet më shumë Evropë atje,” tha ai.
“Ne duhet të mbrojmë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor afër Ukrainës dhe kjo është arsyeja pse është e rëndësishme në këtë moment të punojmë së bashku, uniteti është i rëndësishëm dhe ky është një mesazh i fortë për Rusinë”, tha ai.
NATO dëshiron që pas luftës në Ukrainë, Rusia të mos ketë “asnjë mundësi më për të diktuar opsionet e sigurisë dhe mënyrën e jetesës për fqinjët e saj”, u tha gazetarëve ministri i jashtëm estonez Urmas Reinsalu.