Kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë ndaj Kosovës po vazhdojnë të jenë prezente shumë shpesh. Deklaratat që liderët serb po bëjnë, po arrijnë të sjellin reagime edhe në opinion publik.
Së fundmi, është ministri i brendshëm serb, dhe ekstremisti prorus, Aleksandar Vullin, ka deklaruar se e “vetmja mënyrë që Ballkani të mbetet stabil është që serbët të jetojnë në një shtet”.
“E vetmja mënyrë që Ballkani të mbetet stabil është që serbët të jetojnë në një shtet. Të gjitha konfliktet në Ballkan fillojnë “me diskriminimin” e serbëve. Aty ku respektohen të drejtat e serbëve, nuk kanë asnjë problem me ‘botën serbe’”, ka thënë ai.
Në lidhje me këtë temë për “Bota sot” ka folur profesori universitar, Enver Bytyçi. Ai u shpreh se Serbia po vazhdon të mbajë miqësi të ngushtë me Rusinë pasi është e njejta që nuk po vendos sanksione ndaj saj.
Interesant është se presidentin serb e “mirëkuptojnë”, e “justifikojnë” dhe kësisoj edhe e inkurajojnë që të mbajë lidhje strategjike e specifike me presidentin rus, Vladimir Putin, shton profesori.
“E kam thënë edhe herë të tjera: Serbia dëshiron të përfitojë nga benefitet europiane dhe amerikane, nga donacionet e paratë e tyre dhe njëkohësisht të mbajë lidhje të ngushta me partnerin e saj strategjik, Rusinë. Serbia nuk vendos sanksione dhe është i vetmi vend që radhitet përkrah Serbisë pas Bjellorusisë. Pra dy vende ka Europa që mbështesin Rusinë hapur në agresionin e saj kundër Ukrainës. Interesant është se presidentin serb e “mirëkuptojnë”, e “justifikojnë” dhe kësisoj edhe e inkurajojnë që të mbajë lidhje strategjike e specifike me presidentin rus, Vladimir Putin. E inkurajojnë në Bruksel, në Uashington, në rajon. Përkrahësi më i madh i qëndrimeve pro-ruse të Beogradit është kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama”, u shpreh ai.
Bytyçi thotë tutje që nëse presidenti Vuçiç voton ndonjë rezolutë që dënon Rusinë atëhere Moska e mirëkupton pasi është në dijeni që është në presion të Perëndimit ndërsa këta në Europë e në Ballkan, përfshirë dhe Ramën, i qajnë hallin Beogradit dhe presidentit Vuçiq, se “nuk kanë çfarë të bëjnë të shkretët, varen nga Putin.
“Ndërkaq shoh se në Kremlin nuk kanë asnjë lloj shqetësimi për Beogradin. Nëse presidenti Vuçiç voton ndonjë rezolutë që dënon Rusinë dhe agresionin e saj kundër Ukrainës, në Moskë e mirëkuptojnë. P.sh një nga mentorët e presidentit Vladimir Putin, pra Aleksandër Dugin, ia qante hallin Serbisë, sepse thoshte ai, ajo do të jetë nën presionin e Perendimit për mos vënien e sanksioneve. Këta në Europë e në Ballkan, përfshirë dhe Ramën, i qajnë hallin Beogradit dhe presidentit Vuçiç, se “nuk kanë çfarë të bëjnë të shkretët, varen nga Putin dhe duhen mirëkuptuar pse nuk vendosin sanksione kundër Moskës”! Ndërkaq në Moskë i qajnë hallin se “mund të vihen në presion, për shkak të mos-vendosjes së sanksioneve”! Paradoks më të madh nuk ka. Në këto kushte pse politikanët e Serbisë të mos bëjnë presion për një luftë të re në rajonin tonë? Aleksandër Vulin është artikuluesi kryesor i retorikës luftënxitëse dhe konflikteve, sidomos me Kosovën. Aq agresiv është Vulin, sa e ka trembur edhe atë të gjatin dy metrosh, kur thotë se “Mos e ngacmoni Serbinë, se ndryshe do të ketë luftë në Ballkan”, thekson ai.
Perëndimi kujdesen që të mos zemërohet Presidenti Vuçiç
Sipas profesorit në këtë mes kemi të bëjmë me një regji profesionale pasi po arrijnë të mbajnë një balancim nga të dyja anët dhe se Vuçiç është ai i cili luanë shumë role në këtë mes.
“Kjo do të thotë se regjia është shumë profesionale. Në njërën anë në Kremlin kujdesen që të mos e shtyjnë Beogradin kundër Perendimit. Nga ana tjetër në Perëndim kujdesen që të mos zemërohet presidenti Vuçiç, sepse konsiderojnë se ai ka në dorë fatin e Ballkanit, sidomos në Kosovë dhe në Bosnjë-Hercegovinë. Dhe Edi Rama e të tijët bëjnë sikur po u shkojnë shtatë nga frika e një lufte të re në Ballkan. Regjia ka fiksuar kësisoj rolet e secilit në këtë fushë beteje verbale. Kjo regji ka caktuar role në skenën politike të Serbisë, por edhe në fushën e diplomacisë. Brenda vendit Vuçiç luan rolin e njeriut “të matur”, i cili hiqet si “babai i kombit serb”, që “kujdeset për paqen” dhe “nuk do ta çojë vendin e vet në luftë”! Nganjëherë ky personazh bën edhe lojën e të fortit. Por shpejt tërhiqet në llogoren e të “bërit paqe”! Rolin e luftënxitësit ia ka ngarkuar pasuesit të partisë së Miloshevçit, minsitrit të Brendshëm, Aleksandër Vulin”, thotë profesori.
Në bisedë e sipër Bytyçi shprehet se Vulin vazhdimisht kërkon luftë pasi edhe deklaratat e tilla i ka në vazhdimësi mirëpo që shkatërrimi i shteteve ekzistuese, sidomos në Ballkan, nuk ndodh pa luftë, atëherë çfarë do të kemi në këtë rast? Tronditje të mëdha, që favorizojnë Rusinë, nënvizon profesori.
“Ky del vazhdimisht me deklarata lufte dhe me vokabolarin e presidentit të Rusisë, p.sh për “botën serbe”! Madje tha se “Ballkani do të jetë në paqe vetëm atëherë kur serbët të jetojnë në një shtet të vetëm”! Dhe në fakt me këtë doktrinë ai i shërben luftës. Sepse as popujt e tjerë në Ballkan nuk do të pranojnë të jetojnë të ndarë. Për më tepër të njëjtin model do të donin shqiptarët, por edhe hungarezët e Vojvodinës dhe muslimanët e sanxhakut. A do të ketë Maqedoni e Mal të Zi, si dhe Bosnjë-Hercegovinë, nëse politikanët e Ballkanit luftojnë e veprojnë me logjikën e shteteve etnikisht të pastra?! Sigurisht që jo. Por shkatërrimi i shteteve ekzistuese, sidomos në Ballkan, nuk ndodh pa luftë, pa konflikt të armatosur. Atëherë çfarë do të kemi në këtë rast? Tronditje të mëdha, që favorizojnë Rusinë në hapesirën ballkanike dhe eliminojnë shtete, të cilat sot janë anëtare të NATO-s”, potencon ai.
Sipas profesorit kryeministri Rama nuk po kundërshton këto deklarata pasi mund të shpresoj që mund të ketë bashkim të shqiptarëve dhe serbëve e të zotëroj ai.
“Ajo çfarë dyshoj unë ka të bëjë me atë se çfarë roli ka në këtë regji teatrale kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama! A mos ndoshta edhe ai dëshiron shpërbërjen e shteteve ekzistuese në Ballkan dhe i beson ndonjë opsioni serb, sipas të cilit Ramës mund t’i jetë servirur në formën: “Hajde bëhemi bashkë, krijojmë shtetet tona etnike dhe e zotërojmë Ballkanin bashkë (serbët e shqiptarët)”! Me këtë rast aventurieri Edi Rama mund të ëndërrojë madhështinë e udhëheqësit “që bashkoi shqiptarët”, por jo edhe territoret shqiptare, sepse pjesa më e pasur e tyre do të shkojnë për llogari të Serbisë”! Dhe a është kjo arsyeja pse kryeministri i Shqipërisë asnjëherë të vetme nuk ka reaguar kundër teorive dhe doktrinave të “botës serbe”, foli profesori.
Në fund, ai thotë që duhet besuar se NATO nuk do të lejojë tashmë të shpërbëhen shtetet anëtare të saj!
“Nuk e di saktësisht si zhvillohen skenat në hije. Por çdokush që mendon qartë duhet ta lodhë pak trurin dhe të zbulojë se çfarë po ndodh në të vërtetë në këtë katrahurë qëndrimesh, deklaratash dhe paradoksesh! Megjithatë duhet besuar se NATO nuk do të lejojë tashmë të shpërbëhen shtetet anëtare të saj”, përfundoi profesori Enver Bytyçi.