Mbrojtja nga dielli është e rëndësishme çdo ditë të vitit, por sidomos gjatë verës, dhe sidomos për fëmijët e vegjël. Por, pavarësisht masave që merrni, mund të ndodhë që gjatë qëndrimit në plazh, fëmija të digjet. Në raste të tilla, hapi juaj i parë duhet të jetë të kontrolloni ashpërsinë e djegies, për të kuptuar nëse mund ta trajtoni në shtëpi apo duhet ta dërgoni te mjeku.
Si të dallojmë një djegie nga dielli?
Simptoma më e dukshme është skuqja dhe temperatura e lartë e lëkurës në të gjithë trupit ose në pjesë të veçanta të tij. Përveç kësaj, fëmijët mund të kenë edhe dhimbje ose kruarje.
Nëse djegia është më e rëndë, mund të shfaqen flluska, dhimbje të forta, të vjella, marrje mendsh, skuqje, dhimbje koke, ethe ose dridhura.
Nëse vëreni këto shenja, këshillohet të bëni një kontroll vlerësues te mjeku dhe të ndiqni udhëzimet e tij të mëtejshme.